-sidi education-spot_img
2.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Pëllumb Nako: Arrestimi i drejtorëve, mafia dhe “Prestanome”

Kryesoret

Arrestimi i disa drejtorëve të rëndësishëm të Bashkisë së Tiranës nga SPAK është pritur me komente nga më të ndryshmet. Shumë prej tyre e interpretojnë faktin në kontekstin e luftës brenda klaneve të partisë qeverisëse dhe të tjerë si një akt për të larguar nga vëmendja e opinionit publik ngjarjen lidhur me një aferë kokaine, ku komentohet si i implikuar vëllai i kryeministrit.

Sado të vërteta e sado fantazmagorike qofshin këto komente, fakti i arrestimit të drejtuesve kyç të Bashkisë të Tiranës faktikisht është më shumë i rëndë sesa vetë komentet rreth tyre. Praktikisht kemi të bëjmë me një grupim individësh me peshë, ku mbështetet kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe të gjithë së bashku përfaqësojnë një brez të niveleve të larta politiko-administrative të rinj në moshë dhe që në kohën e diktaturës kanë qenë të mitur ose fare të vegjël. Pra, kemi për produkt një brez të rritur, edukuar dhe shkolluar në epokën postdiktatoriale.

Njëlloj si ta, edhe disa drejtorë të tjerë në institucione të tjera. Pra, pak a shumë bëhet fjalë për një brez funksionarësh të lartë që nëse SPAK nuk do të kishte ndërhyrë, do të ishin drejtuesit politikë të Shqipërisë së nesërme. Ata, të gjithë, parë nga jashtë, janë plotësisht brenda kritereve të modës së lartë të shoqërisë shqiptare në kuptimin e saj më të gjerë: kompetentë, të shkolluar, sjellje të civilizuara, dinë të artikulojnë mendimin me argumente shteruese në publik, të pasur, të veshur e të mbajtur sipas kohës moderne, me kontakte e lidhje jashtë vendit dhe me pushtet. Pra, tërësisht evropianë.

Pikërisht këto tipare të këtyre individëve bëjnë që edhe skemat e përdorura prej në menaxhimin e parave publike të mos jenë të ngjashme as me korrupsionin klasik të administratës së lartë të shtetit shqiptar, as me pabarazinë po aq klasike të tenderave publikë të zhvilluar në gjithë këto dekada postkomuniste. Aktet e tyre, për të cilat akuzohen nga SPAK, flasin për një grykësi më të shfrenuar për para dhe për skema, të cilat nëse u shihet me kujdes mënyra e veprimit, janë një huazim i pastër i skemave të mafies për pastrimin e parave, apo edhe i bizneseve që duan të krijojnë evazion fiskal apo mashtrim.

 

 

Mafia ka për mënyrë veprimi absolut gjetjen e individëve me reputacion të mirë publik, pa procedime të mëparshme penale, por në vështirësi ekonomike, ose pa asnjë kapital. Duke u dhënë sasinë e duhur të parave kompanive të personave të përshkruar më sipër, ata si pronarë të vërtetë fshihen pas tyre për t’iu shmangur ligjit. Në këtë mënyrë ata arrijnë të pompojnë paratë me prejardhje kriminale në kanalet financiare ku qarkullojnë ato të pastra. Madje, edhe të gjitha përgjegjësitë ligjore janë në ngarkim të individit që u “huazon emrin”, pra “prestanome”.

Ndërkohë, edhe drejtorët e Bashkisë së Tiranës kanë përdorur të njëjtën mënyrë veprimi. Ata janë fshehur pas kompanive private për të përfituar paratë publike nëpërmjet tenderave të paracaktuar pikërisht për to. Rasti me klasik i pabarazisë në tendera sigurisht lidhet me favorizimin e një klienti të caktuar, natyrisht kundrejt një përfitimi korruptiv. Pra, edhe pabarazi në tendera, edhe korrupsion në formë mitmarrje. Kurse skema në rastin që flasim nuk është vetëm pabarazi në tendera, sepse favorizohet një kompani e caktuar dhe kjo kompani janë vetë ata, por të fshehur pas një individi “prestanome”. Pra, pompohen paratë publike drejt xhepave të tyre.

Ku qëndron më konkretisht ngjashmëria me skemat e mafies për pastrimin e parave nëpërmjet huazimit të emrit “prestanome”?

Sigurisht një krahasim i tillë për të gjetur ngjashmëri duket i tepruar, sepse mund të interpretohet si akuzë për qeverisje mafioze dhe me mafie shpesh nënkuptohen organizatat kriminale të dhunshme që merren me trafiqe e gjëra të tilla. Jo, nuk bëhet fjalë për këto raste, por po flitet për mendësi mafioze, për mënyra veprimi të njëjta me mafien në menaxhimin e parave publike apo në vënien në funksion të shtetit. Dhe në këtë kontekst asnjë qeverisje nuk është imune, për më tepër ato shqiptare ku realiteti social mbi të cilin mbështeten trashëgon tradita të lidhura me nepotizmin apo klanizimin dhe korrupsionin.

Më konkretisht.

Ashtu siç u cik pak më lartë, mënyra më e mirë e mafieve, sidomos ato italiane, për të pastruar paratë me prejardhje kriminale, është gjetja e individëve apo i kompanive që shërbejnë për ta si mburojë apo si “prestanome”. Kjo do të thotë se “prestanome” mund jetë një individ, figura e të cilit paraqitet si titullari ligjor i një kompanie private, i një aktiviteti privat apo i një prone private, por që në realitet ky individ vepron për llogari të një personi apo enti tjetër, i cili është ose pronari i vërtetë ose ai që e kontrollon në emër të pronarit të vërtetë. Një veprim i tillë bëhet për të mbajtur të mbuluar emrin e dikujt dhe motivet janë të shumta, por dominojnë ato të pastrimit të parave dhe të evazionit fiskal, të ndjekura nga mashtrimi.

Në rastin e mafies, pronari pra i vërtetë është një individ apo një familje kriminale që fshihet pas dikujt, sepse ka nevojën t’u fshihet autoriteteve ligjvënëse dhe në rastin e drejtorëve në Bashkinë e Tiranës, pronari i vërtetë që janë drejtorët, fshihen pas dikujt tjetër, kryesisht i afërm i besuar, i cili fiton tenderin. Pra, këta individë, në rolin e një drejtori të lartë menaxhojnë paranë publike dhe organizojnë tendera dhe nga ana tjetër, këtë radhë si pronar të vërtetë të kompanive fituese të tenderave përfitojnë para në shuma të larta.

Në mënyra të tilla veprimi duket qartë që dëmi financiar është i madh sepse masakron konkurrencën, por dëmi social mbetet kolosal pasi së bashku me disa fenomene të tjera ekonomike të aplikuara vitet e fundit nga qeveria krijohet një cikël i mbyllur i menaxhimit të parave publike, ku njëri anëtar i familjes merr paratë publike dhe në formën e një tenderi të paracaktuar ia jep një familjari të tij dhe pas të cilit fshihet vetë. Pra, funksionet publike menaxhojnë paranë publike për përfitime private. Në fakt, në një rast të tillë, mafia klasike do të mbetej gojëhapur nga habia.

Në fakt, individi mafioz qarkullon paratë e tij të fituara në mënyrë kriminale, kurse drejtorët e Bashkisë pompojnë paratë publike drejt xhepave të tyre. Forma të tilla kriminale janë fenomen i kohëve të fundit në vendin tonë dhe pavarësisht se mënyrat e tyre të veprimit mund të cilësohen brenda disa veprave penale të Kodit aktual Penal, nëse shihen me kujdes, ato kanë nevojë ndoshta për një cilësim të ri penal dhe më fort të dënueshme, pasi dëmi social është mjaft i rëndë dhe jo vetëm me natyrë financiare.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit