Liberalizimi shtoi frikën e largimit të fuqisë punëtore nga Kosova. Por, kjo frikë ka filluar të bëhet edhe realitet, kur mjekët dhe mësimdhënësit po ikin nga vendet e tyre të punës. Shifrat janë shqetësuese dhe alarmante për institucionet shtetërore.
Kosovës aktualisht i mungojnë rreth 600 mësimdhënës. Ata kanë lënë ditarin dhe nxënësit prapa në shkollë, duke marrë rrugën drejt shteteve europiane për një jetë më të mirë.
Braktisja e shkollave nga mësimdhënësit ka nisur nga muaji janar, kur Kosova ka fituar liberalizimin e vizave. Largimi nga Kosova dhe vendet e punës po bëhet për shkak të pagave të ulëta.
Ky fakt ka shqetësuar shumë Sindikatën e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.
“Ky është alarm shumë shqetësues, se nëse vazhdon një trend i tillë i ikjes së mësimdhënëseve, ka rrezik që shkollat e Kosovës të mbesin pa mësimdhënës vendas apo mësuese e mësues të gjuhës shqipe”.
Numri i mësimdhënësve të larguar është rritur më shumë pas liberalizimit të vizave.
“Në vitin 2024, me liberalizimin e vizave, kemi një numër në rritje të punëtorëve të arsimit, të cilët edhe pa bërë fare kërkesë për pushim pa pagesë, kanë emigruar në vende të ndryshme të Europës.
Kjo do të thotë se numri i mësimdhënësve është çdo ditë në rritje.
Dhe sipas informatave që kemi, rreth 600 mësimdhënës janë larguar nga procesi mësimor”, kanë thënë nga kjo sindikatë për “Monitor”.
Ikje dhe pushim pa pagesë nga mësimdhënësit ka pasur edhe gjatë vitit 2023 (Lexo KETU shkrimin e plote).