Barra e sëmundjeve në popullatën shqiptare është duke shënuar rritje nga viti në vit, si rrjedhojë e plakjes së popullsisë dhe ndryshimit të stilit të jetesës.
Të dhënat nga Ministria e Shëndetësisë, në raportet e monitorimit për vitin 2023, tregojnë se rritja natyrale e sëmundjeve kronike për 8-mujorin 2023 është 5.9% në krahasim me vitin 2022.
Kontingjenti i ri i të sëmurëve kërkon trajtimin të vazhdueshëm me mjekim falas, por fondet e rimbursimit nuk janë të mjaftueshme.
Në raportin zyrtar, Ministria e Shëndetësisë ka vënë në dukje se fondet për rimbursimin nuk janë të mjaftueshme, duke kërkuar që të rritet tavani i Fondit për vitin 2023
“Numri mesatar i diagnozave për pacient për 8-mujorin e parë 2022 është 1,83 diagnoza, ndërsa numri mesatar i diagnozave për pacient për 8-mujorin e parë 2023 është 1,96 diagnoza.
Rritja e numrit të diagnozave për të cilin rimbursohet një pacient është 6.9% më e lartë më 2023” analizoi Ministria e Shëndetësisë.
Rritja e sëmundjeve kronike që përfshijnë rastet e reja dhe rastet me ndryshim të skemave të mjekimit ndikon në ecurinë e shpenzimeve të rimbursimit.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në 8-mujorin 2023 janë evidentuar 74,331 raste të reja të sëmurë kronikë. të cilët kërkojnë së paku një vlerë shtesë në fondin e rimbursimit me vlerë 270,020,711 lekë, ose 3.3% më shumë.
Gati për një dekadë, buxheti i rimbursimit të barnave ka mbetur thuajse në vendnumëro, në një kohë që të ardhurat buxhetore janë dyfishuar dhe burimet financiare të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor (FDSKSH) janë rritur.