Gjykata e Posaçme shtyu sot kërkesën e ish-kryeministrit, Sali Berisha për ndryshim të masës së sigurisë për shkak të mungesës së prokurorëve. Avokati Genci Gjokutaj këtë e quan një plan të organizuar.
“Kur të shterojmë ne argumentet para gjykatës, do t’ju vëmë dhe ju në dijeni, por shikoni se përpara argumenteve tona, të cilat janë të mbështetura ligjërisht si në akte kombëtare, ashtu edhe në akte ndërkombëtare, mungesa e prokurorëve duhet t’ju tërheqë vëmendjen juve si media dhe ju thashë, edhe njëherë, invetsigojeni këtë rast.
I bëj thirrje edhe drejtuesit të SPAK që së paku të interesohet për këtë mungesë. Ne jemi koshientë që kjo është pjesë e skenarit të Prokurorisë dhe e GJKKO për shtyrjen e seancës për djegien e mandatit të z. Berisha.
Është lënë për të hënën në datën 8, ora 13:00, kur në datën 9 çështja është në Gjykatën e Lartë dhe të jeni të sigurt që as të hënën që do të vijë kjo seancë nuk do të zhvillohet pa mbaruar seanca në Gjykatën e Lartë. Këtu besoj se e shikoni se ka një strukturë, një plan të strukturuar” tha ai.