Kryeministri Edi Rama ka refuzuar interpelancën e kërkuar nga Gazment Bardhi për akuzat e dosjes Xibraka ku deputeti demokrat akuzon vëllanë e kreut të qeverisë, Olsi Rama.
Bardhi bllokoi foltoren për disa minuta duke i kërkuar shpjegime Lindita Nikollës se përse nuk e futi interpelancën në rendin e ditës. “Ju keni frikë. Zonja kryetare hiqe nga fjalori kërcënimin se do të ndërpresë fjalën sepse nuk i shkon kryetares së Kuvendit.
Së dyti, nuk e di çfarë quanin veprimtari shtetërore, por për mua trafiku ndërkombëtar i drogës është çështje prioritare. Veprimtaria e agjencive sekrete të huaja është çështje shtetërore.
E kuptoj që trafiku ndërkombëtar i drogës për Edi Ramën është çështje private. Se nëse familjar të tu janë të përfshirë në trafik droge, pa dyshim që luftën ndaj trafikut të drogës nuk e konsideron veprimtari shtetërore.” iu drejtua ai.
Nikolla i kërkoi që të presë vendimin e drejtësisë. “Rri prit me qetësi vendimin e organeve të drejtësisë. Të lutem, do ta marrësh drejtësinë në organet e drejtësisë nëse ke shpifur apo jo. Tani na ler që të vazhdojmë. Lironi foltoren tani” tha ajo.









