Partia Socialiste në Konferencën e Kryetarëve ka rrëzuar kërkesat e Partisë Demokratike për të zhvilluar një mocion me debat për protestën dhe raportin e Parlamentit Evropian për Shqipërinë, i cili mes të tjerash adreson edhe shqetësimet për ndërhyrje në zonat e mbrojtura dhe protestën e qytetarëve.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi akuzoi maxhorancën socialiste se po i shmanget debatit për raportin e PE-së, pasi ky raport e nxin atë në çdo fjali që është shkruar në të.
“Ju kemi tmerr nga debati per Raportin e PE. Ju nxin ne çdo fjali. Taulant Balla vjen këtu dhe thotë të pavërteta. Është ai që në seancë ka thënë se mund të zhvillojmë një mocion me debat për raportin e Parlamentit Europian për Shqipërinë edhe pa u miratuar më parë atje. Tani që raporti është miratuar, thotë se nuk mund të zhvillohet. Ju doni ta shmangni debatin mbi këtë raport, sepse ai ju nxin.
Ndryshe nga sa përpiqeni ta paraqisni ju. Nëse është ashtu siç keni thënë, një medalje për qeverinë, hajde ta diskutojmë. Pse i fshiheni debatit për raportin e Parlamentit Europian?”, tha Bardhi.









