Është arrestuar një punonjës i Policisë Kufitare në Portin e Durrësit.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në bashkëpunim me Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka prangosur efektivin nën akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”.
Në pranga ka rënë Besard Xhaferri.
‘Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Durrës-Kavajë) ka ekzekutuar Urdhërin e Prokurorisë për zbatimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, e cila ka vendosur masën shtrënguese “Arrest në burg” për punonjësin e policisë Inspektor B. XH., 37 vjeç, me detyrë Kontrollor në Stacionin e Policisë P.K.K. Port Durrës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Nga hetimet e kryera nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, u dokumentua me prova se ky punonjës policie ka shmangur në mënyrë të qëllimshme kontrollin e mjetit tip Bizarke me drejtues shtetasin E. U., 45 vjeç, i cili ka udhëtuar me linjën Durres-Bari dhe sapo ka zbritur në Bari, gjatë kontrollit i janë gjetur 2 armë zjarri të tipit pistoletë.’ thuhet në njoftim