Ministrat e jashtëm të NATO-s përfunduan takimin e tyre dy-ditor në Bruksel të enjten, ndërsa aleanca shënon 75 vjetorin e saj .
Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg tha se po zhvillohen diskutime për të siguruar qëndrueshmërinë afatgjatë të aleancës ushtarake.
Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock e përshkroi NATO-n si një “spirancë qendrore të sigurisë” në Evropë.
Ukraina ishte gjithashtu në rendin e ditës, me Sekretarin e Shtetit të SHBA Antony Blinken që përsëriti mbështetjen “e fortë” të vendit të tij për Kievin. Ai shprehu gjithashtu mbështetjen për një rrugë që Ukraina të bashkohet përfundimisht me bllokun.
Ndërkohë, Kremlini tha se Rusia dhe NATO tani janë në “konfrontim të drejtpërdrejtë” mes një situate të përkeqësuar të sigurisë.
Ja disa nga zhvillimet kryesore që po ndodhin gjatë takimit të ministrave të jashtëm të NATO-s të enjten, më 4 prill.
Trump u përball me një valë të re dënimesh nga liderët botërorë në shkurt, kur tha se do të inkurajonte Rusinë “të bëjë çfarëdo dreqin që duan” ndaj anëtarëve të NATO-s që nuk përmbushin detyrimet e tyre financiare.
Megjithëse shumë anëtarë të NATO-s kanë rritur shpenzimet e tyre ushtarake pas pushtimit rus të Ukrainës, më pak se gjysma e tyre kanë përmbushur ose tejkaluar marrëveshjen e bllokut që anëtarët të ndajnë 2% të prodhimit të tyre të brendshëm bruto për mbrojtje.
“Lajmi i mirë është se aleatët e NATO-s, duke përfshirë Gjermaninë dhe shumë të tjerë, tani me të vërtetë po rriten dhe po investojnë më shumë në mbrojtje”, tha Stoltenberg për DW.
Shefi i NATO-s tha se ministrat nga vendet anëtare kanë diskutuar një plan për të kaluar në angazhimet afatgjata të financimit dhe se ai priste të kishte një njoftim në samitin e NATO-s në korrik./DW