-sidi education-spot_img
7.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Arlind Qori: Çfarë e shtrëngon Veliajn të mbrojë shokët e vet të korruptuar?

Kryesoret

Arlind Qori, kryetar i Lëvizja Bashkë, ka reaguar pas deklaratës së kryebashkiakut, Erion Veliaj, ku lavdëroi punën e drejtorëve të tij, që sot janë në qeli dhe kërkoi të distancohet nga korrupsioni i tyre. Qori thotë se Veliaj është në ditën më të keqe, ndaj po përpiqet të viktimizohet dhe të mbrohet me të njëjtat argumente që përdorte Rama, kur SPAK i burgoste vartësit.

Reagimi i plotë:

ERION VELIAJ NË DITË TË HALLIT

Pak më herët Erion Veliaj lexoi në ekran një mesazh që kishte për qëllim të justifikonte pafajësinë/padijeninë e tij për skandalin korruptiv të drejtorëve kryesorë të Bashkisë së Tiranës. Çka më bëri përshtypje, në radhë të parë, ishte mbrojtja e punës, sipas tij të shkëlqyer, të drejtorëve të tij. Në jerm e sipër nisi të përmendë çlirimin e hapësirave te Parku i Liqenit.

Seriozisht?! Te parku brenda të cilit çdo vit jepen leje ndërtimi për kulla, aty ku çdo parking po bëhet gati për kullën e radhës? Margaritari tjetër veçonte arritjet e ujësjellësit të Tiranës, të një qyteti ku uji i rubinetit nuk pihet; sa edhe vetë bashkia e blen të ambalazhuar për nevojat e veta.

Çfarë e shtrëngon Veliajn fytyrëprishur të mbrojë shokët e vet të korruptuar? Ndjenja e kameraderisë?! Nuk besoj. Tipa të tillë janë të zhveshur nga çdo ndjenjë. Përmes këtyre vlerësimeve, Erion Veliaj po u çon mesazhin e tërthortë: “Unë nuk do t’ju lë në baltë. Prandaj as ju mos tregoni!”

Përveç Qatove me shokë, Veliaj harxhoi një pjesë të fjalës së vet për t’i dalë në krah dhe thurur lavde Edi Ramës. Nuk është e çuditshme që sa më shumë i shtrëngohet laku, aq më patetike i ka ditirambet për Ramën.

I premton besnikëri, duke dyshuar sakaq se Shefi i Madh mund ta bëjë kurban, nëse bëhet patate më e nxehtë se ç’duhet. Po meqenëse në kopenë e hienave askush nuk mund t’i besojë deri në fund kurrkujt, përmes paralelizmave të shpeshtë Veliaj e njëson fatin e tij me të Ramës. “Siç po ma bëjnë mua, do të ta bëjnë edhe ty. Ndaj më dil për zot sot, që të mos hap thesin për ty nesër!”

Si çdo keqbërës në ditë të hallit, edhe Veliaj nuk mund të mos përdorte taktikën e vetëviktimizimit. Disa herë e krahasoi veten me viktimat e përndjekjes së “kohës së Enverit”, madje shkoi edhe më larg në histori duke u shfaqur si një Galile i ditëve tona përballë Inkuizicionit.

Po kush qenka Inkuizicioni në ditët tona? Pushteti? Kleri? Gjyqësori? Jo, ata që kanë në dorë çelësat a kashtës: akuzuesit nga studiot televizive. Domethënë ata pak vetë që në akoma edhe më pak televizione u lejohet të përmendin përkohësisht bëmat e kryebashkiakut më heshtues të mediave të historisë së Shqipërisë.

Pikërisht kjo “viktimë” e allasojtë e Inkuizicionit vetëshpallet, edhe në emër të partisë së vet, si aleat strategjik i institucioneve të drejtësisë. Ose i shpëtoi goja, ose është edhe një i injorant nga ç’njihet: Në një shtet të së drejtës pushtetet janë të pavarura dhe gjyqësori i duhur nuk është aleat i pushtetit ekzekutiv, por qen roje i ligjshmërisë.

Erion Veliaj është sot në ditën e vet më të keqe. Jo vetëm se shokët e parasë e pushtetit i ka në burg, as thjesht se emri i tij është përmendur si bashkëpronar i një hoteli në Durrës. Ai po ndjen dihatjen e ligjit pas veshit dhe dyshon se Shefi i Madh do ta lëshojë. Kur të bjerë, dhe do të bjerë keq, askush nuk do t’i dalë në krah. As pronarët e televizioneve të cilëve ua ka mbyllur gojën me leje ndërtimi.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit