Gazment Bardhi ka reaguar pas deklaratës së Ramës ku mbron kryebashkiakun Erion Veliaj në lidhje me arrestimet e ndodhura në Bashki. Bardhi është shprehur se shantazhi i Veliajt funksionoi ndaj Ramës dhe se fati i njërit përcakton fatin e tjetrit.
Postimi i Bardhit:
Shantazhi i Erion Veliajt ndaj Edi Ramës funksionoi! Nuk janë thjesht dy hallexhinj të drejtësisë, por edhe dy bashkëpunëtorë të afërt, ku fati i njërit përcakton fatin e tjetrit. Prandaj sot Edi Rama mbështeti Erion Veliajn edhe më shumë sesa mbështeti vëllain e tij biologjik Olsi Rama, sepse e di që Erion Veliaj i ka në dorë fatin e pushtetit.
Pasi Gjykata Antikorrupsion urdhëroi SPAK të hetojë edhe Erion Veliajn, Edi Rama zgjodhi edhe kësaj here të sulmojë opozitën. Asnjë fjalë për thelbin e çështjes, asnjë sqarim sesi vjedhja e të paktën 22 milion eurove nga buxheti i Bashkisë Tiranë i shpëtojë syrit të patronazhistëve të tij, që dinë gjithçka për çdo qytetarë, por nuk dinë që Shtabi Elektoral i Erion Veliajt me nje skemë të pastër mashtrimi kanë vjedhur të paktën 22 milion euro.
Çdo Kryeministër i pashantazhueshëm do kishte mbështetur Gjykatën Antikorrupsion që kërkon të hetohet Erion Veliaj, dhe kurrësesi këtë të fundit. Por ky nuk mund të jetë Edi Rama, që në të njëjtën mënyrë si Erion Veliaj, nuk dinë as çfarë bën i vllai, as çfarë bën zëvendësi i tij në Qeveri, as çfarë bëjnë ministrat e tij të korruptuar. Prandaj janë të dy njëlloj hallexhinj të drejtësisë.