Brenda vitit, çmimet e pronave në bregdet janë rritur mbi 25%. Në resortet që po zhvillohen në Palasë, Orikum dhe Sarandë, çmimi maksimal i shitjes së apartamenteve është 4,000 euro/m².
Në vijën e parë të ndërtimit të resorteve në Lungomare, apartamentet po shiten me çmim 3,500 euro/m². Krahasuar me vjet, çmimet e pronave të vijës së parë në Lungomare në Vlorë janë shtrenjtuar mbi 25%.
Çmimi i pasurive për rezidentët në Radhimë dhe Orikum brenda vitit ka shënuar rritje nga 67 deri në 88%, sipas të dhënave për çmimet e shitjes të agjencive së pasurive të paluajtshme. Agjentët e pasurive të patundshme pohojnë se në vijën e parë në zonat bregdetare të Jugut nuk gjen pasuri të paluajtshme me çmim nën 3,000 euro/m².
Në Golem, çmimi maksimal i shitjes ka arritur 1,500 euro/m², kurse në Gjirin e Lalëzit, vlerat variojnë nga 2,400 deri në 3,300 euro/m².
Për të dyja këto zona, çmimet e apartamenteve mesatarisht janë rritur me 30% krahasuar me vjet, sipas Klajdi Memajdinit, menaxher i shitjeve në “Devinf Real Estate”.
Ai vlerëson se shtrenjtimi ka ardhur si pasojë e kërkesës reale apo faktorëve ekonomikë. Ndërsa çmimi i shitjes së vilave elitare në Gjirin e Lalëzit ka arritur në vlerën e 2 milionë eurove.
Në zonën e Shkëmbit të Kavajës, çmimet maksimale të shitjes kanë arritur në 1,800 euro/m² nga 1,500 euro/m² që ishin vjet (rritja 20%).(Lexo KETU shkrimin e plote).