Policia maqedonase ndaloi të dielën gazetarin Furkan Saliu, themelues dhe redaktor i portalit X në Shkup. Rrethanat e ndalimit nuk janë shumë të qarta, ndërsa ka pohime për përdorim dhune gjatë ndalimit.
Sipas policisë, gazetari, të cilin e ka identifikuar vetëm me inicialet F.S. dhe moshën (33 vjeç), pas një ndeshjeje futbolli në rrethinën e Shkupit ka sulmuar pjesëtarët e njësisë për ndërhyrje të shpejtë, të cilët po përpiqeshin të mbajnë rendin gjatë ndeshjes që po përshkallëzohej. Këtë e ka konfirmuar më vonë edhe ministri i rendit në qeverinë teknike, Pançe Toshkovski.
Policia kishte ndërhyrë për të qetësuar gjendjen në terrenin sportiv dhe loja ishte ndërprerë, pasi publiku vendas në fshatin Konjare të Mesme kishte tentuar të sulmojë fizikisht lojtarët e ekipit kundërshtar.
Policia ka theksuar për një pjesë të medias të afërt me opozitën maqedonase se gjatë ndërhyrjes, dy persona nga publiku kanë tentuar të sulmojnë pjesëtarët e njësisë policore. “Personat që sulmuan policinë janë ndaluar menjëherë; bëhet fjalë për F.S., N.J. nga fshati Haraçinë (i Shkupit), teksa S.B. është ndaluar për shkak të pjesëmarrjes në rrahje”, thekson Ministria e Punëve të Brendshme.
Portalet maqedonase duke iu referuar burimeve policore shkruajnë se gjatë bastisjes së veturës, pronë e F.S.-së është gjetur një revole; se vetura drejtohej nga personi me inicialet F.A. dhe aty ndodhej po ashtu një bashkudhëtar, A.R., të dy nga fshati Kondovë i Shkupit.
Ndërkohë, dëshmitarë në ndeshjen e futbollit u kanë thënë mjeteve të informimit se gazetari Saliu kishte reaguar gjatë arrestimit të një tifozi nga policia. Një dëshmitar që nuk ka dashur të identifikohet për median, ka theksuar se autoritetet policore kanë përdorur dhunë ndaj gazetarit gjatë ndalimit të tij. /VOA