Një 46-vjeçar nga Polonia ka përfunduar në prangat e policisë së Sarandës pasi u kap me doza kanabisi dhe një thikë në makinë.
Sipas policisë lënda narkotike ishte për tu shitur dhe janë gjetur doza të tjera në banesën e polakut.
“Si rezultat i kontrolleve në të gjithë territorin e qarkut dhe punës së inteligjencës policore, në kuadër të megaoperacionit “Tempulli 2”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë kanë konstatuar dhe goditur një tjetër rast të veprimtarisë kriminale të shitjes në doza, të lëndëve narkotike, rast për të cilin u vu në pranga shtetasi polak A. S., 46 vjeç.
Në lagjen nr.2, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin me të cilin qarkullonte 46-vjeçari dhe gjatë kontrollit në automjet, kanë gjetur doza të lëndës së dyshuar narkotike cannabis sativa gati për shitje dhe një mjet prerës (thikë). Më pas, gjatë kontrollit në banesën e tij, është gjetur dhe një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis.
Lënda narkotike dhe mjeti prerës (thikë) u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.’, thuhet në njoftimin e policisë.