Agron Bejdolli ka përfunduar në prangat e policisë, një person i cili ishte shpallur në kërkim pasi në vitin 2022 mori peng dy vëllezërit Indrit dhe Gentian Beqiraj.
Bejdolli u kap në shtëpinë e një kushëriri të tij në Durrës. Gjykata e Durrësit i kishte caktuar masën e arrestit në burg më 2 maj të vitit të shkuar.
Ai gjithashtu njihet si krahu i djathtë i ‘Rrumit të Shijakut’.
Rrëmbimi i dy vëllezërve Beqiraj ka ndodhur më 2 tetor 2022 në afërsi të Maminasit, në Durrës.
Vëllezërit Indrit dhe Gentjan Beqiraj ishin duke lëvizur me motor kur një automjet u preu rrugë dhe u përplasën.
Motori doli nga rruga dhe dy vëllezërit janë konfliktuar me personat që ndodheshin në automjetin që u preu rrugën.
Në konflikt e sipër, personat që ndodheshin në automjet e kanë marrë Indrit Beqirajn në automjet dhe janë larguar bashkë me të. Pas shpalljes së autorëve në kërkim nga policia, ata e kanë liruar më pas Beqirajn duke e lënë në një cep të autostradës.
Ditën që Indrit Beqiraj u mor peng bashku me vëllain, ishin nisur të vrisnin dy shtetasit S.Z. dhe I.H. Porosia për këtë vrasje është dhënë nga Flamur Bejko, efektiv burgjesh, i cili kishte konflikt me shtetasit që do të vriteshin.
Për këtë krim, polici i burgjeve kishte parapaguar 3500 euro, ndërsa vëllezërit Beqiraj kishin siguruar mjetet për realizimin e ngjarjes, konkretisht 4 kg eksploziv, si dhe një armë zjarri automatik, të cilat u gjetën dhe sekuestruan gjatë kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e policisë, të hënën e 3 tetorit 2022 pas pengmarrjes.