Bahrije Gjuni 57-vjeçe pas 7 ditëve arratisje, mesditën e sotme ka vendosur që të dorëzohet në drejtorinë e policisë së Durrësit së bashku me nipin, Amarin. Një javë më parë e mori nga nëna dhe nuk e ktheu.
Policia arrestoi Rexhep Gjunin, gjyshin e të miturit dhe Arben Selajn, vëllai i gjyshes së 3-vjeçarit. Në kërkim u shpall gjyshja dhe vëllai tjetër i saj. Sot gjyshja u dorëzua vetë. Djali është bashkuar me nënën Ile Gjuni e cila prej një jave nuk e kishte djalin në krahët e saj.
Dramën familjare sipas Ile Gjunit nisi kur vdiq bashkëshorti në aksident një vit më parë. Ajo ka shkuar të jetojë tek prindërit e saj po në zonën e ish-Kënetës, ndërsa vjehrrit vazhdimisht kërkonin kujdestarinë e 3-vjeçarit, gjë që nuk iu takon me ligj.
Për të ulur tensionet ajo e çonte djalin tek gjyshërit gjatë fundjavave, por të shtunën e kaluar ata kanë refuzuar ta kthejnë fëmijën e mitur, me pretendimin se do ta rrisin vetë.