Kryeministri Edi Rama ka folur në Podcastin e tij për drejtësinë, arrestimet, ministrat në hetim dhe burg, zyrtarët e tjerë të lartë por edhe mandatit të katërt që i ka vënë syrin.
“Është e vërtetë që kemi probleme, pasi do të ishte e kotë t’i mohonim, por ne i kemi dhënë këtij vendi një mundësi që nuk e ka pasur më parë.
Një drejtësi që vepron e pavarur nga pushteti politik. Kemi pasur ministra “të pushkatuar” edhe më përpara, por ka qenë me vullnet politik dhe drejtësia ka qenë pushka për t’i vrarë.
Kemi një moment shumë të rëndësishëm ndryshimi, sa është inkurajues dhe fragjil dhe garantimi i paprekshmërisë së procesit është i domosdoshëm.
Nga ana tjetër lufta me korrupsionin nuk është thjesht lufta e drejtësisë, por një luftë për të pasur në të gjithë frontin e institucioneve një solidaritet dhe kapacitet që ia kushton hapësirat për ta luftuar….
Në këtë aspekt kemi bërë shumë gjëra pozitive. Duhet të ngremë shumë më tepër stekën e luftës kundër korrupsionit në të gjithë frontin, jo thjesht te drejtësia. Ky është momenti, njëri nga dy momentet, që ma bën më tundues se çdo gjë tjetër pozicionin në raport me mandatin e katërt.
Se në kushte të tjera nëse do të kisha bindjen e plotësimit të mozaikut që kemi nisur me imazhin e Shqipërisë, turizmin e ngritjen e nivelit të turizmit, mbase nuk do të kisha më tundim” tha ai.