Ndeshja ndaj Fenerbahces, e luajtur të hënën në Yeni 4 Eylül Stadyumu (Sivas), nuk ka qenë e zakonshme për sulmuesin shqiptar Rey Manaj.
Lojtari kuqezi, i cili ka realizuar 16 gola në kampionat, është futbollisti që ka shënuar më së shumti gola me fanellën e klubit të Sivasspor brenda një sezoni. Për këtë arsye, ai u nderua me një çmim, i akorduar nga presidenti Mecnun Otyakmaz.
Me një buzëqeshje në fytyrë dhe duke duartrokitur tifozët për mbështetjen, Manaj më pas bëri fotografitë përkatëse.
Sulmuesi “tundi rrjetën” ndaj Fenerbahces në pjesën e parë, por goli u anulua për pozicion të parregullt. Me paraqitjet e bëra në këtë vit futbollistik te Sivasspor, shanset që 27-vjeçari të jetë pjesë e listës së trajnerit të Shqipërisë për Europianin janë të mëdha.