Më 18 janar të vitit 1990 në Haraçinë afër Shkupit u vra një shqiptar. Quhej Nuredin Nuredini. Emri i tij shpejt u përhap në mbarë Jugosllavinë e atëhershme, sidomos në gazetat liberale në Slloveni e Kroaci, dhe u bë simbol i shtypjes së pakicës shqiptare në Maqedoni. Nuredin Nuredinit ia mori jetën pushteti maqedonas i asaj kohe derisa po ia rrëzonte murin e shtëpisë, të cilin gjoja e kishte ngritur ilegalisht.
Këtij krimi i kishte paraprirë një fushatë e pushtetit në Shkup kundër mësimit në gjuhën shqipe. U mbyllën atëbotë shumë klasë me mësim në gjuhën shqipe në disa gjimnaze. Nxënësve dhe arsimtarëve shqiptarë nuk u mbeti rrugë tjetër përveç se të mësyjnë Kosovën, e cila i hapi shkollat dhe i priti me zemër të hapur këta njerëz të shtypur. Dhuna që përdori Serbia pastaj në Kosovë (mbyllja e shkollave, dëbimi i shqiptarëve nga jeta publike) ishte testuar më herët, në vitet 1980-të, mbi shqiptarët në Maqedoni nga pushteti i atëhershëm komunist.
Dhuna e palës maqedonase do të vazhdonte edhe në vitet në vijim. Më 1994 forcat policore maqedonase vranë një shqiptar, i cili me qindra të tjerë mbronte nismën për hapjen e një universiteti në gjuhën shqipe në Tetovë. Maqedonia duhet të jetë shteti i vetëm në Europë pas Luftës së Dytë Botërore që ka hapur zjarr ndaj shtetasve të vet vetëm për shkak se ata kërkonin shkollim të lartë!
Më 1997 policia maqedonase vrau tre dhe plagosi 400 shqiptarë gjatë protestave që shpërthyen në mbrojtje të flamurit kombëtar shqiptar, të cilin kryetarët e komunave të Gostivarit dhe Tetovës e ngritën para selive të tyre, krahas flamurit maqedonas. 7 vjet burg iu shqiptuan, për shembull, Rufi Osmanit nga Gostivari, një qytet me mbi 80 për qind shumicë shqiptare.
Kështu ishte dikur. Dhe kur hendeku u thellua, konflikti eskaloi në luftë të hapur. Ishte largpamësia e politikanit Arbën Xhaferi, i cili – ndonëse në pushtet bashkë me nacionalistët e VMRO-së – ndikoi që kryengritësit e armatosur të prirë nga Ali Ahmeti të pranoheshin si palë në zgjidhjen e konfliktit. Kështu u hap edhe rruga që Ali Ahmeti dhe ithtarët e tij të shndërrohen në forcën kryesore politike të shqiptarëve të Maqedonisë për gati një çerekshekulli dhe të avancojnë të drejtat e shqiptarëve, një proces që ishte nisur më herët edhe nga Arbën Xhaferi.
Si do të jetë në të ardhmen? Kjo është çështje e vullnetit politik të zgjedhësve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut. Ata janë sovranë, politikisht të pjekur dhe mund të marrin vetë vendimet e tyre për të ardhmen. Askush nuk duhet të ketë frikë nga demokracia. Ky sistem, më i miri që e ka shpikur bota e civilizuar, nuk funksionon pa fitues dhe pa humbës. Le t’i vlerësojnë vetë shqiptarët e atjeshëm alternativat që u ofrohen.
Në përgjithësi dhe përtej pështjellimeve politike është me rëndësi që kapitujt e shtypjes së shqiptarëve nga shteti maqedonas të mos harrohen në ligjërimet publike. Është mirë që kjo pjesë e errët e historisë të kujtohet sidomos sot, në një ditë zgjedhjesh presidenciale në Maqedoninë e Veriut (siç quhet ky shtet ndërkohë). Viti 2024 i gjen shqiptarët në Maqedoni në gjendje pafundësisht më të mirë se në vitet 80-të apo 90-të, ndonëse mbetet ende shumë për t’u bërë.
Nganjëherë në opinionin e albanosferës ekziston një prirje obsesive për t’u marrë vetëm me të tashmen, me polemika e thumbime, akuza e kundërakuza, sharje e kërcënime që shpejt shndërrohen në kakofoni tifozësh. S’ishte ndryshe as në këtë pranverë, në prag të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në Maqedoni.
Por nëse për një çast kujtohet vrasja e Nuredin Nuredinit para më shumë se tri dekadash, terrori ndaj protestuesve që kërkonin universitet në Tetovë para saktësisht 30 vitesh, heqja e flamujve nga godinat e komunave me shumicë shqiptare në Gostivar e Tetovë, lufta e shkurtër dhe me shumë sakrifica e vitit 2001, atëherë gara e sotme për pushtet duket si pjesë e normalitetit demokratik ku valëvitja e flamurit shqiptar është gjëja më normale në botë. Tre dekada më herët për një gjest të tillë njerëzit kanë hëngër plumb nga policia maqedonase.
Flamujt nuk hahen, kjo është e vërtetë, duhet zhvillim ekonomik. Duhet ndërprerë ikja masive e njerëzve nga fshatrat e qytetet, një problem me të cilin po përballet mbarë Ballkani. Ndaj këtyre sfidave – përfshirë edhe korrupsionin – duhet të gjejnë përgjigje ata që kërkojnë besimin e qytetarëve, qofshin këta të pushtetit apo ata që e duan pushtetin. Për të ardhmen e përfaqësimit të tyre politik le ta thonë lirisht mendimin e tyre shqiptarët nga Ohri në Kumanovë si aksionarë të shtetit. Maqedonia e Veriut është shteti i tyre. Aty paguajnë taksat. Shtet rezervë nuk kanë. Shteti real është ky që është: anëtar i NATO-s, kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe prej më shumë se një dekade një vend qytetarët e të cilit udhëtojnë pa viza në zonën e Schengenit.