Presidentja e Greqisë K.Sakellaropoulou evokoi në 24 prill 2024 të ashtuquajturin gjenocid armen të vitit 1915. E kishte më lehtë të mos shkonte aq larg deri në Armeni, por të shkonte në shtetin fqinj Shqipëri, ku këtë vit është 110 vjetori i gjenocidit grek, kur ushtria grek dhe bandat ushtarake greke masakruan me dhjetra mijra banorë shqiptarë në Gjirokastër, në Tepelenë, në Përmet, në Ersekë, në Korçë, në Skrapar, në Berat, etj.
Sipas shkencëtarëve gjermanë, vetëm në Gjirokastër forcat greke masakruan 20 mijë banorë shqiptarë. Ishte një gjenocid shtetëror etnik dhe fetar, që synonte spastrimin etnik të popullsisë shqiptare të Jugut të Shqipërisë, të pushtuar nga ushtria greke. Presidentja greke mund dhe duhet t’u kërkonte falje Shqipërisë dhe popullit shqiptar në këtë 110 vjetor të gjenocidit grek mbi popullsisnë civile shqiptare.
Presidentja geke nuk e bëri dhe nuk e ka bërë asnjë president apo kryeministër grek që nga 1914 e deri në ditët tona. Mirë Athina nuk e ka bërë dhe nuk e bën dhe i ka vënë kapakun shtetëror të varrit të vërtetës historike, sepse shtetin vrasës nuk e vret ndërgjegja ndërkombëtare dhe as morali ndërkombëtar.
Po Tirana kur do të ngrihet t’ia kujtojë Athinës këtë gjenocid grek mbi popullsinë shqiptare? Edhe dele të kishin qenë ata dhjetra mijra gra, fëmijë e pleq të masakruar në mënyrë masive nga ushtria greke në territorin shqiptar, Tirana duhet t’i kishte kërkuar reparacione Greqisë.
Unë nuk e di nëse kryeministrat shqiptarë të tranzicionit e kanë lexuar kryeveprën e historianit, priftit dhe patriotit të madh shqiptar, Papa Kosta Tomorri, i cili si dëshmitar okular i gjenocidit grek botoi në ShBA qysh në vitin 1917 librin e famshëm “Barbaritë greke në Shqipëri”.
Nuk e di nëse udhëheqësit e Shqipërisë e njohin historinë e shtetit të tyre dhe nëse e kanë lexuar që paraardhësi i tyre, kryeministri i Shqipërisë, Turhan Pashë Përmeti, kërkoi zyrtarisht në Konferencën e Paqes në Paris në 1919 reparacione nga Greqia për masakrat dhe shkatërrimet në qytetet dhe fshatrat në Shqipëri në vitin 1914.
Sivjet është 110 vjetori i gjenocidit grek në Shqipërinë e Jugut. Kaloi një e treta e vitit dhe nuk shihet gjëkundi që Tirana të organizojë sesione përkujtimore, konferenca apo mbledhje solemne zyrtare dhe akademike për këtë ngjarje tragjike të historisë shqiptare.
Tirana nuk po ngre një memorial në kryeqytet në përkujtim të dhjetra e dhjetra mijra shqiptarëve të masakruar gjatë gjenocidit grek. Tirana ndërkohë i ka dhënë lejen Greqisë të ndërtojë në territorin e Shqipërisë së Jugut katër varreza të mëdh greke për të nderuar ushtarët e ushtrive pushtuese greke.
Tirana, që nuk ka ngritur një memorial për dhjetra e dhjetra mijra të vrarët shqiptarë në gjenocidin grek të 1914, që nuk ndërton asgjë për të përkujtuar holokaustin e popullit të vet, po ndërton në mënyrë absurde dy Muzeume në Tiranë dhe në Vlorë për holokaustin çifut, sepse kështu iu tek kryeministrit aktual internacionalist të Shqipërisë.
Dhe që turpi shtetëror e qeveritar të arrijë kulmin botëror, kemi faktin e turpshëm që autoritetet shqiptare nuk lejojnë dhe nuk japin të ashtuquajturën leje ndërtimi për memoralin në kujtim të 217 banorëve shqiptarë të masakruar nga forcat greke vetëm në fshatin Hormovë në vitin 1914.
Tirana nuk po guxon t’ua kujtojë presidentes greke apo kryeministrit grek se duhet t’u kërkojnë falje Shqipërisë dhe popullit shqiptar për gjenocidin grek në Shqipëri. Gjaku dhe memoria e dhjetra e dhjetra mijra qytetarëve shqiptarë në këtë 110 vjetor historik të holokaustit shqiptar duhet t’u prishin gjumin e inferioritetit diplomatik qeverisë dhe diplomacisë së Shqipërisë./ DITA