Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, nuk sheh më arsye që Bashkimi Evropian të vazhdojë t’i mbajë në fuqi masat kufizuese ndaj Kosovës.
Kosova, siç thotë ajo, tashmë e ka bërë pjesën e saj të detyrave për ta shtensionuar situatën në veri.
“Arsyeja për masat kufizuese nuk ekziston më. Kosova ka bërë pjesën e saj për të depërshkallëzuar situatën në veri që nga maji 2023. Dhe, për më tepër, masat në fuqi nuk janë proporcionale që nga shtatori i vitit të kaluar nga sulmi në Banjskë.
Parlamenti Europian ka kërkuar qartë dhe me shumicë dërrmuese heqjen e masave dhe unë personalisht e mbështes heqjen e masave menjëherë”, ka thënë Von Cramon për Kallxo.com.
Ajo ka theksuar se topi tash është “në fushën e BE-së”.
“Për sa më përket mua, nuk ka asgjë tjetër për t’u bërë nga pala e Kosovës në këtë drejtim- topi tani është në fushën e BE-së”- është shprehur ajo.
Von Cramon ka konsideruar se “referendumi” i 21 prillit ishte mundësi e mirë për qytetarët serbë që ta rimarrin kontrollin e qeverisjes lokale, mirëpo ata nuk e shfrytëzuan atë.
“Proceset në veri të Kosovës që nga prilli i kaluar kanë qenë shumë të dhimbshme dhe të dëmshme për besimin e ndërsjellë ndërmjet qeverisë dhe komunitetit lokal serb.
Ky referendum ishte mundësia që serbët të rimarrin kontrollin e qeverisjes lokale, por kjo mundësi fatkeqësisht u humb dhe më vjen shumë keq”, ka thënë Von Cramon.