Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për garantimin e rendit publik dhe sigurisë para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes së futbollit midis ekipeve “KF Tirana” dhe “Partizani”, e cila do të zhvillohet sot në orën 19:00, në stadiumin “Air Albania”.
Në njoftim për shtyp, Policia e Shtetit bën të ditur se do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore dhe itinerare të përcaktuara, për lëvizjen e tifozëve të dy skuadrave.
“Në orën 14:00 do të bëhet lëvizja e automjeteve përreth stadiumit, ndërsa bllokimi i rrugëve do të bëhet në orën 17:00”, sqaroi policia.
Sipas policisë, segmentet rrugore që do të jenë të bllokuara, nga ora 17:00 deri në përfundim të aktivitetit, janë: Rruga “Lek Dukagjini”, “Dervish Hima”, “Gjergj Filipi”, rruga “Papa Gjon Pali II”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri te stadiumi “Air Albania”, si dhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga Presidenca deri te sheshi “Nënë Tereza”.
Policia do të garantojë dhe do të sigurojë lëvizjen e tifozëve përgjatë rrugëkalimeve të caktuara dhe nuk do të lejojë grumbullim apo kalim të tifozëve, jashtë itinerarit .
Po në zbatim të planit të masave, policia njofton se do të ushtrohen kontrolle rigoroze ndaj tifozëve, para hyrjes në stadium, për sende të kundërligjshme dhe çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi.
Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e tifozerive respektive, për zbatimin e detyrimeve të mësipërme, si dhe mirëkuptimin e qytetarëve për të evituar lëvizjen me automjete në segmentet rrugore të lartpërmendura, në oraret e caktuara.