Furrat e bukës dhe pastiçeritë për rreth 2 javë, përkatësisht nga data 7 deri më 20 Maj do të plotësojnë formularin e shpërndarë nga Furnizuesi i Shërbimit Universal (FSHU) për kushtet konkrete se në cilën fashë të energjisë elektrike përfshihen.
Plotësimi i formularit i paraprin zbatimit të vendimit të Entit Rregullator të Energjisë (ERE) për ndarjen e çmimit të energjisë elektrike në 3 fasha, sipas kategorizimit të bizneseve të prodhimit të bukës.
Nga Shoqata e Bukës, Pastiçerive dhe Brumërave u njoftua se çdo objekt nga data 7 deri më 20 Maj do të plotësojë një formular sipas kushteve konkrete se në cilën fashë përfshihet subjekti.
“FSHU-ja do të bëjë me grupe pune verifikimin e gjendjes konkrete të furrave të bukës e pastiçerive, nga data 7-20 Maj. Ky do jetë hapi i parë për zbatimin e këtij vendimit të ERE-s Nr.72 datë 15/04/2024”, pohon shoqata.
Faturimet e reja që do të kryhen duke filluar 1 Maj 2024 deri në 31 dhjetor 2024 do të zbatohen sipas çmimeve të reja për prodhuesit e bukës. Pas ngritjes së një grupi pune dhe konsultimeve të vazhdueshme, Shoqata e Bukës, Pastiçerive dhe Brumërave dhe MIE e OSHEE Group, kanë rënë dakord për tre çmime të ndryshme sipas llojit të aktivitetit që ka subjekti.
Në vendimin e miratuar nga ERE për kategorinë e parë ku përfshihen “Vetëm Furra buke/prodhim mielli” çmimi i energjisë elektrike do të jetë 7.6 lekë/kWh. Për kategorinë e dytë “Furrë buke, produkte mielli shoqëruese, pastiçeri” çmimi do të jetë 9,5 lekë/kWh dhe për kategorinë e tretë “Furrë buke, produkte mielli shoqëruese, pastiçeri, shërbim Kafe” çmimi do të jetë 12 lekë/kWh.
Për më shumë informacion lexoni shkrimin në /MONITOR