Një grup gazetarësh ka dalë në protestë ditën e sotme para Kuvendit për lirinë e medias, në prag të Ditës Botërore e Lirisë së Shtypit
Arsyeja është intimidimi si dhe sulmi nga politika të ndodhur ndër vita, por kryesisht gjatë vitit që lamë pas.
Gazetari Isa Myzyraj duke folur për mediat ngriti këtë shqetësim, ku u shpreh se është e paimagjinueshme që në një vend demokratik, një i zgjedhur të sulmojë në mënyrë direkte gazetarët.
“Gazetaria në Shqipëri është e mbushur me problematika, gazetarët kanë halle që nga redaksia deri tek ndërhyrja nga politika dhe isntitucionet.
Kemi raste konkrete ku gazetarët janë sulmuar, ku i janë dërguar mesazhe nga persona të zgjedhur.
Është e pa imagjinueshme që në një vend demokratik, një i zgjedhur qoftë kryebashkiaku qoftë kryeministri të bëjë presione. Vetëm në vitin që lamë pas kemi 30 raste të sulmeve ndaj gazetarëve” tha gazetari Isa Myzyraj për mediat.
Një koment për rastin dha dhe kreu i grupit të PD-së Gazment Bardhi, i cili u shpreh se media ndër vite media është pre e autokracisë së Edi Ramës.
“Pa diskutim i kemi dënuar dhe i dëmtojmë sulmet ndaj medias. Liria e medias është një nga shtyllat e demokracisë. Media ka vështirësitë e veta në gjithë këto vite, sikur ka qenë pre e autokracisë së Edi Ramës.
Pa diskutim janë raste që turpërojnë jo thjesht ata që i kanë kryer por të gjithë politikën, të gjithë ata që nuk reagojnë ndaj këtyre rasteve” u shpreh Bardhi.