Partia Konservatore në pushtet në Britani pësoi humbje të madhe në zgjedhjet lokale të premten, duke forcuar më tej pritshmëritë se Partia Laburiste do të kthehet në pushtet pas 14 vjetësh. Zgjedhjet e përgjithshme në Mbretërinë e Bashkuar pritet të mbahen në muajt e ardhshëm.
Laburistët fituan kontrollin e këshillave lokalë në Angli ku për dekada nuk e kanë pasur shumicën dhe patën sukses në një zgjedhje të posaçme të pjesshme për parlamentin. Nëse ky rezultat do të përsëritej në zgjedhjet e përgjithshme, kjo do të çonte në një nga humbjet më të mëdha të konservatorëve.
Megjithëse rezultatet në përgjithësi janë një parashikim i zymtë për kryeministrin Rishi Sunak, partia e tij siguroi një sukses të rëndësishëm në verilindje të Anglisë. Kandidati i konservatorëve në Tees Valley arriti të rizgjidhet, ndonëse kjo u bë me një diferencë të vogël në vota. Fitorja e Ben Houchenit, i cili zhvilloi një fushatë duke bërë akuza personale, mund të jetë e mjaftueshme për të mbrojtur zotin Sunak nga revolta e mundshme e ligjvënësve konservatorë.
Për Keir Starmerin, udhëheqësin e Partisë Laburiste, këto rezultate janë të shkëlqyera. I vetmi rezultat negativ për laburistët erdhi nga Blackburn dhe Oldham në Anglinë veriperëndimore, zona këto me popullsi të madhe myslimane. Laburistët duket se u ndëshkuan si rezultat i qëndrimit të fortë pro-izraelit në lidhje me luftën në Gazë.
Laburistët fituan zgjedhjet e posaçme në Blackpool South, në veriperëndim të Anglisë, për një vend në parlamentin britanik të mbetur bosh. Kjo zonë ishte fituar nga konservatorët në zgjedhjet e fundit më 2019, kur kryeministri i atëhershëm Boris Johnson arriti sukses të madh në zonat që mbështetën daljen nga Bashkimi Evropian.
Ndiqni KËTU shkrimin e plotë