Ditën e sotme Rithemelimi dhe Partia e Lirisë do të mbajnë protestën para bashkisë së Tiranës rreth orës 10:00.
Policia e Shtetit që nga ora 9:30 do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve, në bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës.
Policia sugjeron përdorimin e rrugëve alternative.
Leja për organizmin e kësaj proteste e ka marrë Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit.
Policia u bën thirrje protestuesve që të respektojnë ligjin dhe të distancohen nga çdo akt dhune.
“Gjatë disa tubimeve të mëparshme, të zhvilluara nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në sheshin para Bashkisë Tiranë, janë evidentuar raste të përsëritura të kundërshtimit të forcave të policisë, përdorimit dhe hedhjes së molotovëve e sendeve të tjera, në drejtim të Bashkisë Tiranë, duke rrezikuar seriozisht jetën dhe shëndetin e punonjësve të policisë dhe vetë pjesëmarrësve në tubime.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë respekton plotësisht të drejtën e qytetarëve për të organizuar dhe marrë pjesë në tubime paqësore. Policia u përsërit thirrjen organizatorëve, drejtuesve dhe pjesëmarrësve në tubime për të respektuar ligjin dhe për t’u distancuar nga çdo akt dhune”, njofton policia.