Në orën 19:00 janë mbyllur vendvotimet për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Maqedoninë e Veriut.
Siç bëhet me dije nga mediat maqedonase deri në ora 18 pjesëmarrja për zgjedhjet presidenciale ishte 46.34 %.
Ndërsa për zgjedhjet parlamentare jehona e daljes ishte më e lartë 53.43 %.
Ndërkohë kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta, ka deklaruar se partia VMRO do të fitojë zgjedhjet në Maqedoni, teksa shton se PL do të aplikojë programin e kësaj partie në bujqësi.
“Kënaqësi të bisedoja sot nga pranë me Doktoreshë Silvana Bajramin, e cila nga dje është Kryetare e Komisionit për Bujqësinë dhe Ushqimin në Partinë e Lirisë. Si një profesioniste e vërtetë dhe plot energji pozitive ajo do të dijë të luajë rolin e saj si pjesë e një ekipi të vendosur për të ndaluar shpopullimin, duke i dhënë mbështetjen e munguar qëllimisht fermerëve tanë.
Programi ynë për Bujqësinë dhe Ushqimin është fantastik. Ai bazohet në modelin e shkëlqyer maqedonas, në veçanti të aplikuar me shumë sukses nga VMRO dikur.
Me fitoren e VMRO të re sot dhe programin e tyre të jashtëzakonshëm për ringritjen e Bujqësisë duhet të rishikojmë në mënyrë edhe më ambicioze programin tonë duke filluar nga nesër.
Ndaj jemi të hapur për të gjithë profesionistët se kemi punë të mëdha përpara” tha Meta.