Seanca e sotme plenare pritet që të jetë e mbushur me debate. Peshën e diskutimeve do ta ketë interpelanca e ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja e kërkuar nga disa deputetë të opozitës që mbështesin Lulzim Bashën për amnistinë penale, nga e cila përfituan edhe 100 të dënuar nga GJKKO.
Ministri Manja dhe Gazment Bardhi kanë deklaruar se nga projektligji që u miratua me shumicë votash nuk përfituan subjektet e Gjykatës së Posaçme.
Sipas një reagimi më herët të SPAK, 100 persona të dënuar nga GJKKO përfituan nga amnistia penale, një pjesë e të cilëve përfituan falje dënimi kurse pjesa tjetër ulje.
Gjatë seancës së sotme pritet të ratifikohen tre marrëveshje. Fillimisht marrëveshja e huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë (huamarrësi), përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe KFW Frankfurt am Main (KfW), për financimin e projektit “Transporti i gjelbër i Tiranës””.
Më pas do të votohet ratifikimi i marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në programin “Qytetarët, barazia, të drejtat dhe vlerat””.
Në fund është dhe ratifikimi i Konventës Lubjanë – Hagë për Bashkëpunimin Ndërkombëtar për Hetimin dhe Ndjekjen Penale të Krimit të Gjenocidit, Krimeve kundër Njerëzimit, Krimeve të Luftës dhe Krimeve të Tjera Ndërkombëtare”.