Shtetet e Bashkuara janë furnizueset më të mëdha të Izraelit me armë. Ato e kanë ndihmuar atë të ndërtojë një nga ushtritë më të sofistikuara në botë.
Sipas Institutit Ndërkombëtar për Kërkime të Paqes në Stokholm (SIPRI), SHBA-ja ka përbërë 69% të importeve të Izraelit me armë kryesore konvencionale në periudhën 2019-2023.
Izraeli merr, gjithashtu, 3.8 miliardë dollarë ndihmë ushtarake vjetore nga SHBA-ja, në bazë të një marrëveshjeje 10-vjeçare, e cila synon t’i garantojë atij “përparësi ushtarake cilësore” ndaj vendeve fqinje.
Por, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, paralajmëroi këtë javë aleatin e tij se SHBA-ja do t’i ndalojë furnizimet me disa armë, nëse ai nis operacion të madh tokësor në qytetin Rafah të Gazës.
Izraeli beson se ky qytet është bastion i Hamasit – grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera – i cili ka sulmuar tokën e tij, në tetor të vitit të kaluar, duke vrarë mbi 1.200 njerëz.
Në ofensivën hakmarrëse të Izraelit në Gazë, e cila vazhdon ende, janë vrarë afro 35.000 njerëz, sipas autoriteteve në enklavë.
Zyrtarët amerikanë druajnë se operacioni i Izraelit në Rafah – ku popullsia është shtuar me refugjatë nga pjesë të tjera të Gazës – mund të çojë në numër të madh të viktimave civile.
“Ne nuk do ta furnizojmë [Izraelin] me armë dhe predha artilerie [nëse pushton Rafahun]”, tha Biden në një intervistë për rrjetin televiziv CNN, e cila u transmetua të mërkurën.
Në ditët pas sulmit të Hamasit më 7 tetor, Biden ka thënë se SHBA-ja “do t’i japë ndihmë shtesë ushtarake” Izraelit.
Por, që nga ajo kohë, vetëm dy shitje ushtarake të SHBA-së në Izrael janë bërë publike – njëra prej 14.000 municionesh për tanke, me vlerë 106 milionë dollarë, dhe tjetra me predha artilerie, me vlerë 147 milionë dollarë. Për më shumë kliko Am