Të tjera detaje kanë dalë në dritë pas ekzekutimit mafioz të 32-vjeçarit Roan Brahimi.
Sipas gazetarit grek Vasili Lampropoulos, pas ngjarjeve në Shqipëri, Brahimi kishte qenë për një kohë të gjatë në Greqi, ndërsa deri para pak kohësh jetonte në Dubai.
Përveç këtyre dy shteteve, ai rezulton të ketë kaluar edhe nga Spanja, Italia dhe Franca. Sipas dyshimeve, lëvizjet e tij mund të kenë më shumë të bëjnë me përfshirjen e tij në trafikun e drogës.
Sa i përket ekzekutimit, ka dyshime se vrasësit ndiqnin në mënyrë periodike partneren dhe fëmijën e tij në Greqi deri sa arritën të ekzekutonin 32- vjeçarin.
Prej dy vitesh, Roan Brahimi ishte larguar nga Shqipëria për t’iu fshehur drejtësisë dhe hakmarrjes së mundshme nga rivalët.
Atentati ndaj mikut të tij të dikurshëm, Ylli Brakimi në Milot, ku mbeti i vdekur Klisman Peçi, e largoi atë nga Shqipëria duke u strehuar në Emiratet e bashkuara.
Por, kundërshtarët e gjetën mbrëmjen e së enjtes në një lagje në Athinë, ku kishte shkuar për të festuar Pashkën dhe në një atentat mafioz, dy persona me motor i janë afruar dhe e kanë qëlluar për vdekje. Në momentin e ngjarjes, pranë tij ndodhej partnerja dhe djali i tyre i mitur./TCH