Kanë mbetur edhe pak orë nga vizita e kryeministrit shqiptar Edi Rama mëngjesin e së dielës 12/5 në Greqi. Mediat greke vijojnë që ta kenë kryefjalë sigurinë.
Masat e sigurisë, siç edhe pritet, do të jenë veçanërisht të rrepta, “me dhjetëra policë nga agjenci të ndryshme në këmbë” shkruajnë mediat.
“Sipas informacioneve dhe në bazë të planifikimit operativ, punonjësit e policisë, sigurimi, qarkullimi, anti-terrori, do të jenë në gatishmëri, ndërsa snajperë do të jenë në vendet ku do të konsiderohet një rëndësi e veçantë” shkruan “Iefimerida”.
“Sigurisht që Edi Rama do të shoqërohet nga roja e tij personale, ndërsa itinerari që do të ndjekë, nga aeroporti Eleftherios Venizelos deri në palestrën e mbyllur të Galatsit do të jetë hermetik.
Helikopterët do të fluturojnë në qiellin e Atikës si dhe dronët, të cilët do të japin një imazh të drejtpërdrejtë në qendrën e operacioneve.
Ditën e sotme pritet që të bëhet një kontroll i plotë edhe në stadiumin e Galatsit, i cili nuk do të lejojë hyrjen ndërkohë që po monitorohet.
Sigurisht që është aktivizuar rrjeti informativ ndërsa theksi do të vihet edhe në rrjetet sociale” mbyllet shkrimi.