Kryeministri Edi Rama, ka dhënë edhe një prononcim të shkurtët për mediat greke.
Kreu i qeverisë shqiptare është pyetur nga gazetarët nëse takimi i sotëm kishte lidhje me kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, pasi ditën e sotme bëhej një vit nga arrestimi i tij.
Rama është shprehur se nuk ka një lidhje të tillë, ndërsa shtoi se kjo është histori e politikës greke dhe jo e jona.
“Nuk ka çështje të tillë, nuk është histori për ne. Kjo është histori e politikës greke. Nuk është historia jonë dhe nuk ka të bëjë me ne”, tha Rama.
Ndër të tjera, kryeministri pas fjalimit të tij në Athinë, është pyetur edhe për marrëdhëniet greko-shqiptare, ku tha: “Shpresoj se do të arrijmë të bëjmë diçka që përputhet me marrëdhëniet fantastike mes njerëzve të zakonshëm të Greqisë dhe Shqipërisë. Ata meritojnë më mirë dhe ne duhet t’u japim politika shumë të ndryshme.”
Kujtojmë që gjatë kohër kur Rama ndodhej në Athinë në takimin me emigrantët, Fredi Beleri me anë të një mesazhi nga burgu e konsideroi atë “si një provokim”.
“Zgjedhja e ditës së sotme për vizitën e kryeministrit shqiptar në Athinë nuk është e rastësishme”, thotë Fredi Beleri.
Beleri, i cili është edhe kandidat për eurodeputet i Partisë Demokracia e Re në Greqi dhe kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, thotë se sot bëhet pikërisht një vit nga arrestimi i tij.
Sipas tij, Rama zgjodhi këtë ditë pasi e ka shqetësuar nominimi i tij.
“Ai dëshiron të provokojë Greqinë, të bëjë një shfaqje force brenda Shqipërisë dhe të ulë moralin e grekëve në rajon. Ai nuk do t’ia dalë. Askush nuk mund të luajë me krenarinë dhe dinjitetin e helenizmit”, përfundon mesazhi i Fredi Beleri.