Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta e cilësoi furtunë memesh takimin e kryeministrit Edi Rama dje në Athinë me emigrantët shqiptarë. Meta denoncoi se Rama mori administratën qendrore dhe lokale me vete për të mbushur stadiumin në Greqi.
“Tallavaja u shndërrua në furtunë memesh. Është një regjim i kalbur dhe korruptuar në palcë. Të gjithë e kanë parë si administrata e bashkive të drejtuara nga rilindja dhe administrata shtetërore zhvilloi një ekskursion në Athinë.
Është një rast i qartë i shpërdorimit të pozitës së kryeministrit për qëllime partiake duke shkulur të gjithë administratën. Ishte e pamundur që të kalohej koha pa këngëtarët e njohur, ky ndoshta ishte i vetmi element pozitiv për ata pak shqiptarë që kanë shkuar me dëshirën e tyre në atë tallava. Sa i takon votës, PL është për votën e diasporës që dje, dhe jo sot.
Pa asnjë diskutim mezi po presim çunat në Angli, Uells dhe Glasgou për takimet me diasporën. Ka një shpërthim të gjithë diasporës, Athinë, Selanik, Itali dhe të gjithë. Ata e dinë shumë mirë se kush i ka larguar dhe kush do i rikthejë në vendin e tyre. Në atë tallavanë që ka kushtuar dhjetëra milionë euro atje mund të ishin dyfishuar pensionet në ato qarqe që është shkulur administrata” tha ai.
Protesta nesër para bashkisë, a do të jeni atje? “Lidhur me ish-kryebashkiakun nuk e di cfarë po bën, protestat nuk do të ndalen, Tedi Blushi do të jetë atje me të gjithë përfaqësuesit e opozitës. Është një arsye për t’u shkulur e gjithë Tirana nesër atje. Paguhet miliona për plehrat dhe incenerator nuk ka. Paguaj 10 fish për plehrat dhe incenerator nuk ka” tha Meta.