Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se ka biseduar me kancelarin lidhur me situatën e serbëve që jetojnë në Kosovë dhe për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Udhëheqësi serb, përmes një postimi në Instagram, tha se gjatë bisedës telefonike ka informuar kancelarin gjerman “në detaje për gjendjen pothuajse të padurueshme për komunitetin serb në Kosovë”, por edhe për “shmangien e vazhdueshme të Prishtinës nga përmbushja e detyrimeve të saj të pranuara dhe nënshkruara, veçmas në lidhje me formimin e Asociacionit”.
Në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për themelimin e Asociacionit, më 2013 dhe 2015.
Por, më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit nuk ishte në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit, duke thënë se duhet të harmonizohet përmes akteve nënligjore.
Megjithatë, qeveri të njëpasnjëshme të Kosovës refuzuan ta zbatojnë marrëveshjen, duke shprehur frikë se asociacioni i tillë njëentik mund të ndikojë në funksionalitetin e duhur të shtetit.
Gjermania, së bashku me shtetet e tjera në BE, por edhe Shtetet e Bashkuara, vazhdimisht i bëjnë thirrje Kosovës që të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po ashtu ka thënë se ekzekutivi që ai udhëheqë refuzon që të pranojë që Asociacioni të jetë kusht për pranimin e vendit në organizatën e Këshillit të Evropës.
“Qeveria nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në KiE me Asociacion. Për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, ne bisedojmë në Bruksel, e jo në Strasburg”, tha Kurti më 8 maj./REL