“Babai punonte në sallën operative të policisë së Fierit. Dje fatkeqësisht mori lajmin tragjik gjatë kohës që ndodhej në punë…”. Kështu shprehet gazetari Besar Bajraktaraj lidhur me vrasjen e efektivit të policisë Novruz Cenalia.
28-vjeçari, jeta e të cilit u ndërpre tragjikisht mesditën e së hënës në fshatin Baltëz të Fierit, do të përcillet paraditen e së mërkurës drejt banesës së fundit. Por shkaqet për vrasjen e tij me një plumb në kokë në mes të rrugës, janë ende të paqarta.
Shumë pikëpyetje ka për vdekjen e efektivit të “Shqiponjave”, i cili të hënën po shkonte për në punë, kur u qëllua për vdekje me pistoletë nga Azgan Mërnica. Ky i fundit, vetëm 23-vjeç, u arratis menjëherë pas krimit.
Pavarësisht kontrollove të shumta në disa fshatra të Fierit ku dyshohet se ai fshihet, deri në këto momente arrestimi i tij nuk është bërë ende i mundur. Duket se edhe thirrjet publike, si ajo e ministrit të Brendshëm, Taulant Balla një ditë më parë për t’u vetëdorëzuar, kanë rënë në vesh të shurdhët.
Autoritetet hetimore mësohet se kanë sekuestruar kamerat në zonë në përpjekje për të zbuluar dinamikën e qartë të gjithçka ndodhi një ditë më parë, që çoi në ekzekutimin e Novruzit. Me dhjetëra persona, kryesisht familjarë e të afërm të autorit të ngjarjes, janë marrë në pyetje.
Nuk dihet nëse ata kanë dhënë informacione të vlefshme për policinë. Kjo e fundit ka vënë edhe një shpërblim prej 30 mijë eurosh për këdo që do të japë informacione që do të çojnë në arrestimin e autorit të dyshuar.