Efektivi i policisë Novruz Cenalia 28-vjeç është përcjellë sot për në banesën e fundit. Do të prehet në varrezat e fshatit Baltëz të Fierit, aty ku dhe jetonte.
Të pikëlluar, të afërmit e të riut kërkojnë kapjen e autorit të ngjarjes dhe vënien e tij para drejtësisë.
“Ndihemi shumë të pikëlluar për këtë ngjarje. Kjo ka qenë një vaki që mund t’i ndodhte gjithkujt, por e planifikuar.
Jo krejt i paqenë, nuk është rastësi për mendimin tim. Besoj që është e organizuar. Nuk është rastësisht. Për një sherr makine nuk vritet njeriu”, shprehet një i afërm.
“Nipin e njohim djalë shumë të mirë, ka rënë pre e bandës. Ishalla sa më shpejt e kapin atë vrasës. Janë vrarë shumë djem të rinj, janë djem nënash. Nuk di çfarë të them më, se jemi shumë të lënduar”, shton një tjetër.
23-vjeçari Azgan Mërnica që ndodhet në kërkim prej 48 orësh vjen nga një familje me një histori të gjatë për përfshirjen në ngjarje kriminale.