Në garën mes konvencionit dhe gjeopolitikës, Evropa nuk zgjodhi asnjërën. Ajo ka treguar se mund të flasë njëkohësisht për sfida globale në Ukrainë, Gaza, marrëdhëniet Amerikë-Kinë, inteligjencë artificiale e të ngjashme, e të mos veprojë gjeopolitikisht me një gjest shumë më të vogël e megjithatë të rëndësishëm, siç do të kishte qenë anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës. Dhe duke mos e bërë këtë, t’u nënshtrohet pyetjeve të natyrshme: nëse nuk mund të merret një vendim gjeopolitik i kësaj natyre, si mund të merren vendime me peshë e rëndësi dukshëm më të madhe?
1.
Përderisa i shkruaj këta rreshta, ka më shumë siguri që votimi për anëtarësim të Kosovës në Këshill të Evropës të shtyhet sesa që këtë javë Kosova të anëtarësohet në këtë organizatë. Dhe, nëse shtyhet, mund të ndodhë që të shtyhet madje edhe për majin e vitit 2025.
Shoh në thelb dy mënyra se si të analizohet kjo ngjarje. Njëra është në formë konvencionale: Kosova nuk do të pranohet në Këshill të Evropës, për shkak se nuk i përmbushi kërkesat e parashtruara para saj.
Tjetra është gjeopolitike. Në këtë formë interpretimi, Këshilli i Evropës, një institucion themeltar i bashkimit të evropianëve pas Luftës së Dytë Botërore, nuk do ta mbulojë nën strehën e vet një shtet evropian me ndjenjë të theksuar evropiane, Kosovën.
Në garën mes konvencionit dhe gjeopolitikës nuk fitoi asnjëra. Kosova i përmbushi kërkesat e parashtruara dhe u votua rekomandimi i Asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës për anëtarësim. Ky konvencion u përmbush dhe kur u përmbush, u parashtruan një sërë kërkesash nga një tërësi tjetër negociatore. Në thelb u kontestua vetë parashikueshmëria e konvencionit-e kalon këtë hartë të rrugës dhe mbërrin në cak, e kur të mbërrijë në cak nuk të paraqitet harta plotësuese. Kjo nuk pasqyron një komunikim të shëndoshë e strategjik mes autoriteteve evropiane dhe atyre kosovare.
Në gjeopolitikë anëtarësimi i Kosovës ka mundur të jetë një konstatim i thjeshtë se Evropa ka kapacitet të ndërtojë shtete të së drejtës, demokraci e t’u japë një vizion përpara zhvillimi shoqërive të tolerancës mu atëherë kur në Lindje të saj barbaria ruse po do të tregojë të kundërtën- se mbi shtetin e së drejtës, demokracisë dhe vizionit zhvillimor të shoqërive tolerante ekziston fuqia e tankut dhe grushti i diktatit.
2.
Marrëdhënia e pacaktuar mes kohës konvencionale dhe asaj gjeopolitike mund t’i shkaktojë telashe Evropës edhe kur ajo merr vendime që përpiqet të kenë peshë gjeopolitike. Në dhjetor të vitit të kaluar, Bashkimi Evropian u ofroi Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Moldavisë status kandidati për anëtarësim në BE. Kjo duhej të ishte shenja e madhe gjeopolitike, ajo se kufijtë e Evropës mbarojnë në kufijtë e këtyre shteteve me Rusinë. Ishte shenja se përkundër barbarisë ruse kundër Ukrainës, ardhmëria e këtyre vendeve do të ishte në Bashkim Evropian.
Ky vendim ishte i pastër geopolitik, nuk ishte pjesë e konvencionit. Por, gjeopolitika nuk mund t’i ikë konvencionalitetit të BE-së. Muajin e ardhshëm BE-ja mund të ndodhë t’i ftojë këto tri vende që të fillojnë negociatat për anëtarësim në BE. Dhe, këtu do të ndeshen gjeopolitika me konvencionin ngase në të njëjtën kohë kur Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia duhet të fillojnë negociatat-me hapjen e kapitujve negociatorë siç bënë dikur Çekia, Austria apo Portugali-këto shtete janë ose në luftë aktive, sikur Ukraina, ose në konflikte të papërfunduara si Gjeorgjia, ose me një pjesë të territorit të okupuar si Moldavia.
Në të njëjtën kohë kur këto shtete duhet të diskutojnë për të drejta peshkimi apo reformat në kodin civil, gati 20 për qind e territorit të Ukrainës e Gjeorgjisë dhe 8 për qind e Moldavisë administrohen nga Rusia. Dhe kjo gjendje nuk është se do të ndryshojë me hapjen e kapitujve negociatorë; ato janë konvencione evropiane për të cilat Rusia nuk e çan kokën fare. Në parafrazimin e barsoletës së Stalinit kur pyeti për Papën se sa divizione tankesh kishte në dispozicion, Putini mund të tallet me 34 kapitujt e negociatave të BE-së.
3.
Jo, Evropa nuk ka 34 divizione tankesh dhe nuk mund të sillet si t’i kishte. Madje ekziston mundësia reale dhe gjithsesi e paprojektuar dhe e padëshiruar që përzierja e konvencionit (hapja e negociatave) me gjeopolitikën (anëtarësimin e Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë ) të sjellë stagnim në të dyja. Këto shtete në gjendjen çfarë janë sot nuk do të mund t’i përmbushin konvencionet, (sepse janë në luftë apo në konflikt të pambaruar) dhe pra nuk do të mund të anëtarësohen në BE. Anasjelltas, këto shtete do të vazhdojnë të trazohen nga Rusia në mënyrë që të mos mund të përgatiten për anëtarësim në BE.
Është një rreth vicioz dhe ky rrjedh nga një kontekst tjetër gjeopolitik, Ballkani perëndimor. Konfliktet e papërfunduara ose kanë penguar ecjen më të shpejtë drejtë BE-së ose kanë krijuar konflikte të reja identitare në vijimësi. Ideja se konvencionaliteti i aderimit në BE do të ndryshojë gjendjen në formë dramatike në Ballkan Perëndimor nuk ka rezultuar pozitivisht. Ideja se vetëm nevojitet edhe pak kohë që transformimi të ndodhë po ashtu ka rezultuar me pak; koncepti është i njëjtë gati një çerek shekulli, dhe një çerek shekulli më shumë këso qasje nuk do të prodhojë më shumë rezultat.
Për më tepër, në momentin kur hapen negociatat e anëtarësimit të Ukrainës, Moldavisë e Gjeorgjisë për BE, mund të krijohet një lidhje e re mes konvencionit e gjeopolitikës mes këtyre shteteve dhe Ballkanit perëndimor në një kolonë lundruese në të cilën shpejtësinë e dikton anija më e madhe dhe e rëndë, ajo e Ukrainës, kufijtë e ardhshëm të së cilës duhet të jetë vija ndarëse mes botës transatlantike dhe asaj euro-aziatike.
4.
Josep Borrell, shefi i politikës së jashtme evropiane në shkuarje, mbajti një fjalim në Stanford në të cilin dha shpjegimin më konciz të ndryshimit të kohëve. Paraardhësi i tij i dikurshëm, Javier Solana, në fund të mandatit tha “Evropa nuk ka qenë kurrë kaq e sigurt, në paqe dhe qetësi”. Borrell, kur e paraqiti Busullën Strategjike, ndonjë javë para fillimit të luftës kundër Ukrainës tha : “Evropa është në rrezik dhe ne duhet të rrisim kapacitetin tonë për të përballuar sfidat e vështira”.
Kalimi prej njërës gjendje mendore kolektive në tjetrën është i vështirë dhe tejet sfidues. BE-ja u shndërrua në mbështetësin më të madh të Ukrainës me gati 100 miliardë euro ndihmë prej fillimit të luftës, një mbështetje që nuk po ndalet, por përkundrazi po fuqizohet. Dhe duke u fuqizuar, do të dalin sfida të reja për të cilat nuk ekzistojnë konvencione, kryesorja prej të cilave është si të negociosh me një shtet i cili nuk di ku i përfundojnë kufijtë? Ukraina, Gjeorgjia e Moldavia mund t’i ketë të shënuara në fillim të procesit negociator, por jo domosdoshmërisht nën kontroll të vetin, të përkohshëm a të përhershëm përgjatë negociatave a në fund të tyre.
Në këtë adaptim ndaj kohëve të gjeopolitikës, Evropa, me peshën e jashtëzakonshme të shteteve anëtare të BE-së nuk ka treguar se mund të flasë njëkohësisht për sfida globale në Ukrainë, Gaza, marrëdhëniet Amerikë-Kinë, inteligjencë artificiale e të ngjashme, e të veprojë gjeopolitikisht me një gjest shumë më të vogël e megjithatë, të rëndësishëm, siç do të kishte qenë anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës dhe ditëlindjen e saj të 75-të. Dhe duke mos e bërë këtë, t’u nënshtrohet pyetjeve të natyrshme: nëse nuk mund të merret një vendim gjeopolitik i kësaj natyre, si mund të merren vendime me peshë e rëndësi dukshëm më të madhe?/ KOHA