Zbardhen të tjera detaje nga megaoperacioni i zhvilluar nga SPAK në disa qytete të vendit, ku u nxorën të paktën 50 urdhër-arreste për personazhe të njohur të botës së krimit në vend. Operacioni u shtri në disa nga qytetet kryesore të vendit si Tiranë, Durrës, Vlorë, Lezhë, Fushë Krujë dhe Rrëshen.
Nga këto urdhër-arreste deri më tani janë ekzekutuar 20 prej tyre, 14 prej të cilave në Shqipëri dhe të tjerat jashtë vendit. Po ashtu bëhet me dije se janë kontrolluar rreth 50 objekte banimi, përfshi ato të Avdylajve në Shijak, Bamëve në Nikël, klanit Duka në Tiranë dhe të Fatmir Hysenit në Vlorë.
Nga operacioni janë sekuestruar rreth 1 milion euro kesh, një sasi e madhe orash të shtrenjta me vlerë rreth 500 mijë euro e automjete të blinduara me vlerë rreth 500 mijë euro. Vlera totale e parave, makinave dhe sendeve me vlerë të sekuestruara shkon në rreth 4.5 milionë euro.
Sipas SPAK, i shumëkërkuari i drejtësisë nga Fushë-Kuqja, Ervis Martinaj ka qenë objektivi kryesor për t’u ekzekutuar i një aleance të lidhur midis dy grupeve armike me të. Organi i akuzës sqaron se Durim Bami nga Nikla ka bashkuar forcat me klanin Duka drejtuar nga vëllezërit Leonard dhe Erlis Duka, për të eliminuar ish-bosin e lojërave të fatit.
Grupi i Fushë-Krujës me në krye Durim Bamin, me ndihmën e klanit Duka dhe Fatmir Hysenit nga Vlora ka dashur të eliminojë përveç Martinajt edhe ish-deputetin e Partisë Socialiste në qarkun e Lezhës, Arben Ndoka.
“Nga ana tjetër në zonën e Fushë Krujës spikat grupi kriminal i drejtuar nga Durim Bami, i cili shfaqet në konflikt të hapur me grupet kriminale të drejtuara nga Ervis Martinaj dhe Arben Ndoka. Grupi kriminal i drejtuar nga Durim Bami bën aleancë me një grup kundërshtar të Ervis Martinajt dhe që drejtohet nga Leonard Duka dhe Fatmir Hyseni, persona me precedentë të theksuar kriminal me qëllim vrasjen e Ervis Martinaj dhe Arben Ndokës dhe anëtarëve të tjerë të këtyre grupeve kriminale” thotë SPAK-u.
Në krahun tjetër nuk ka qëndruar pa vepruar as Martinaj, i cili sipas SPAK kishte lidhur aleancë me grupin kriminal me bazë në Lezhë, që drejtohej nga Arben Ndoka dhe në bashkëpunim edhe me Avdylajt në Shijak synonin të ekzekutonin Durim Bamin dhe Fatmir Hysenin, pasi ai akuzohej për vrasjen e krahut të djathtë të ish-bosit të lojërave të fatit, Santiago Malko. Për të realizuar këto atentate në ndihmë të Martinajt sipas akuzës i kanë ardhur në ndihmë edhe anëtarë të grupit kriminal të drejtuar nga Emiljano Shullazi, i cili ndodhet pas hekurave.