Prokuroria e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit, ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim ish-kryetaren e bashkisë së Patosit, Rajmonda Balialj si dhe 6 zyrtarë.
Në njoftimin e SPAK bëhet me dije se do të dërgohen për gjykim të pandehurit:
1.Rajmonda Balilaj (në kohën e kryerjes së veprës penale, me detyrë ish Kryetare e Bashkisë Patos);
- Anisa Petani (në kohën e kryerjes së veprës penale, më detyrë Nënkryetare e Bashkisë Patos dhe anëtare e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave);
- Shkëlqim Beqiraj, (në kohën e kryerjes së veprës penale, më detyrë Sekretar i Përgjithshëm i Bashkisë Patos dhe anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave)
- Enirjada Rizaj (në kohën e kryerjes së veprës penale, më detyrë anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave);
Këta katër zyrtarë janë të akuzuar për kryerjen e veprave penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu janë dërguar për gjykim dhe: Vangjel Nushi ,Arben Manoku dhe Boreta Murati akuzuar për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim.
E pandehura Rajmonda Balilaj, ka ndërmarrë një sërë hapash nëpërmjet punonjësve të Bashkisë, për të legjitimuar anulimin e procedurës së tenderimit, pikërisht për të mos u shpallur fitues operatori “2…..”, gjë që do të nxirrte zbuluar punimet e kryera nga operatori i paracaktuar për të fituar garën.
Nga hetimi u provua se, e pandehura ka paracaktuar fituesin e këtij tenderi, pikërisht operatorin “Genti 001”, i cili është shpallur fitues (që nga viti 2019, kur ky subjekt është regjistruar për herë të parë në QKB, deri në vitin 2022, pra për tre vjet), në 32 procedura të organizuara nga Bashkia Patos.