Zyrtarët në Serbi kanë dënuar aksionin e Policisë së Kosovës ndaj objekteve të Bankës Postare Kursimore të Serbisë në Kosovë.
Gjatë aksionit të 20 majit, Policia e Kosovës tha se mbylli gjashtë objekte të Banës Postare Kursimore, pasi sipas saj, ato vepronin paligjshëm në veri të vendit.
Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, e cilësoi aksionin si “akt barbar që drejtpërdrejt kërcënon mbijetesën e popullit serb” në Kosovë.
“Kujt dhe pse po iu pengon Banka Postare Kursimore? Për shkak të çekut. Serbët në Kosovë janë komuniteti i vetëm në Evropë që nuk mund të operojnë normalisht. A kanë të drejtë ata që të kenë paga dhe pensione? Apo asgjë nuk iu lejohet”, tha Vuçeviq, sipas një njoftimi të Qeverisë serbe.
Në njoftim u tha se këto pyetje nuk i janë drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, por komunitetit ndërkombëtar.
Ndërkaq, ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, në reagimin e tij për këtë aksion, tha se kryeministri Kurti vazhdon “me terror ndaj popullit serb” në Kosovë, duke kryer “bastisje në degët e Bankës Postare Kursimore”.
Ai shtoi se “kjo çon në konflikte të reja në Ballkan, me pasoja të pallogaritshme”.Për më shumë kliko KËTU