Këshilli Gjyqësor i Maqedonisë së Veriut ka vendosur t’ia heqë imunitetin një gjykatësi të Gjykatës Supreme, i cili u arrestua të hënën mbrëma nën dyshimin se kishte marrë rreth 10.000 euro ryshfet.
“Gjyqtari është privuar nga liria gjatë kryerjes së veprës penale”, tha Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut (MPB ) në një komunikatë.
Sipas Policisë, gjykatësi Naqe Georgiev dyshohet për veprën penale “marrje të shpërblimit për ndikim të paligjshëm”.
Ai dyshohet se kishte premtuar masa lehtësuese në një procedurë gjyqësore ndaj ish-kryetarit të komunës së Novosellës, Boro Stojçev, i cili kohë më parë u arrestua për kontrabandë me lëndë narkotike.
Këshilli Gjyqësor – që është organi më i lartë gjyqësor për emërimin dhe vlerësimin e punës së gjykatësve – ia hoqi imunitetin Georgievit dhe e miratoi kërkesën për futjen e tij në paraburgim.
“Këshilli Gjyqësor i hoqi imunitetin gjyqtarit të Gjykatës Supreme të RSM-së, me qëllim të mbarëvajtjes së procedurës penale; aprovoi kërkesën për miratimin e paraburgimit të paraqitur nga gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale të Shkupit dhe e largoi përkohësisht gjyqtarin e Gjykatës Supreme nga ushtrimi i funksionit të tij gjyqësor, deri në përfundim të procedurës penale”, thuhet në njoftimin e Këshillit Gjyqësor.