Sot, më shumë se cdo herë më parë, është koha për të folur hapur për pështjellimet e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Që të mund të shohësh strategjikisht përpara në horizont, i duhet bërë thirrje të vërtetës. E verteta është se Ballkanit Perëndimor nuk i është thënë e vërteta! As nuk po i thuhet. E vërteta mund të gjendet, por duhet kërkuar shumë për t‘a gjetur.
E kaluara njihet, e tashmja gjithashtu njihet, sepse fjalët dëgjohen, veprimet shihen, analizohen. E ardhmja nuk dihet! Është vështirë të lexohet se cfarë është në mendjen e drejtuesve politikë. Ajo vetëm mund të hamendësohet! Duhet parw mirw konteksti mw i gjerw.
* * *
Marrëdhëniet ndërkombëtare ndodhen sot në një lloj anarkie. Nuk ka strukturë tjetër mbi egzistuesen e vjetër per t‘i rregulluar këto marrëdhënie. Bota ndodhet në momentet më të rrezikshme që nga koha e krizës të Karaibeve, të rraketave në Kubë, në vitin 1962.
Kujtoj një fjalim brilant të Presidentit J.F.Kenedi në Universitetin Amerikan më 10 qershor 1963, pak muaj para se t‘a vrisnin. Ai fjalim është po aq aktual sot, sa pat qenë në atë kohë kur, të dy udhëheqësit, Kenedi dhe Krushovi, komunikuan me njeri tjetrin dhe, me largpamësi, i siguruan paqen botës. Është hera e parë, sa kujtoj, që udhëheqësit e dy fuqive më të mëdha bërthamore të botës nuk flasin, nuk kanë folur me njeri-tjetrin, për mbi dy vjet!
Po të flitej në të kaluaren për zhvillimet që po ndodhin sot në botë, do dukeshe disi qesharak. Nuk do mungonte reagimi: cfarë thua kështu, more!! Sot kjo është realitet: nuk mund të qeshet më në mënyrë tradicionale. Bota unipolare i takon të kaluarës, pavarësisht të pëlqen ose jo. Ky realitet ka impaktin e vet. Ai duket.
* * *
Në Bashkimin Evropian mund t’i referohen vitit 2030 si „guri i kilometrik“ për Ballkanin Perëndimor në përpjekjet e tij për t’u bashkuar me BE-në. Do ishte mjaft ndihmuese nëse sot vendosej një ekuilibër i mirë midis “perfektes dhe joperfektes”! Ballkanit Perëndimor i nevojiten miq, aleatë të vërtetë. Ende ka pengesa. Ballkani përbën shembullin e shëndritshëm të pengesave, pavarësisht fjalëve të bukura, nga Brukseli në Tiranë! Eshtë e lexueshme: në BE nuk ka motivim, oreks, kohezion!
Tërheqja e këmbës zvarrë, shtyrjet, propozimet dhe “zbulimet” e reja, premtimet bombastike, nuk mungojnë të ofrohen me bujari dhe shumicë. Kështu, Ballkani vazhdon të mbahet me shpresa, por në “distancë sigurie”. Kjo e ka gërryer kredibilitetin e politikës të zgjerimit të BE-së! Ajo politikë është marrë peng nga zhvillimet e viteve të fundit! Cfarë do mendonte dikush i cili ka punuar 25 vjet për këtë objektiv dhe ende nuk është atje! Edhe më keq, askush nuk mund të parashikojë se kur mund të bëhet! Ndoshta asnjëherë, edhe pse vendi ynë e ka konfirmuar angazhimin strategjik për t’u bashkuar me BE-në që afro 30 vjet më parë.
Nga BE-ia vazhdon të dëgjohet se zgjerimi është ndër prioritetet më të larta politike të saj. Ndërkohë, rajoni vazhdon të mbetet i pasigurtë, i cënueshëm. „Prioriteti i perspektivës të Ballkanit për BE“ është dëgjuar aq shpesh nga BE-ia sa që ka ardhur duke e humbur rëndësinë dhe kuptimin! BE-ia thotë, “…ky oportunitet historik për rajonin duhet kapur pa vonesë!” Por, pas 25-30 vitesh, në këtë cështje ka fare pak gjë “historike”, dhe as nuk është më “oportunitet”! Integrimi është bërë tepër abstrakt!
Vazhdon të përdoret termi i vjetër “zgjerim”, që ka dalur nga moda. Për këdo, nga shkolla fillore tek e larta, është e qartë se, me integrimin tonë, kufijtë e jashtëm të BE-së – jug-veri dhe lindje-perëndim, nuk ndryshojnë! Bëhet fjalë vetëm për një “oaz” brenda kufijve egzistues të BE-së! BE-ia do i bënte nder vetes po t’a quante “përfshirje”! Edhe për këtë mund të mos ketë konsensus!
Integrimi është rrugë me dy kalime. Nga ai përfitojnë si siguria dhe prosperiteti i popujve të Ballkanit, ashtu edhe të BE-së. Cdo zgjerim – për të vijuar me atë term – është bërë i mundur pas një analize të kostove dhe përfitimeve që kanë bërë vetë anëtarët e BE-së në atë kohë. Sot është e vështirë të bëhet një matricë e kostove dhe përfitimeve! Mendimet dhe pozicionet e shteteve anëtare ndryshojnë gjatë procesit. Prandaj edhe dëgjohen vazhdimisht propozime, plane, shpikje të reja.
Njerëzit në rajonin tonë nuk ndjehen mirë, por të mënjanuar, të larguar, të mërzitur. Është e dukshme, cka dhe dëgjohet shpesh, se ka skepticizëm në rritje lidhur me perspektivën për në BE. Ndërkohë që mbështetja për BE-në, në përgjithësi, vijon të jetë e lartë, shifrat e agjenisve të opinioneve flasin për kurbë në rënie.
Mos bëhet sikur harrohet se vendet tona duan që të trajtohen me respekt për historinë dhe kulturën e lashtë, traditat, zakonet, mënyrën e jetesës, besimet fetare, për mënyrën që kanë zgjedhur për të bërë biznes, etj. Të treguarit me gisht, me një ton e “përqasje ex cathedra – bëj-këtë-bëj-atë”, duhet shmangur një herë e mirë. Ndërkohë që vendi ynë punon fort për t’u linjëzuar sa më shpejt me acquis komunitare, ai don që t’a ruajë, të mos e humbasë TË TIJËN! Nuk duhet abuzuar me objektivin politik dhe strategjik të Ballkanit Perëndimor, edhe pse ndonjë drejtues, thellë në vetvete, mund të mos e dojë integrimin, së paku sot për sot, se ai do jetë “si xhaketë që të rrin ngushtë”.
* * *
Ballkani Perëndimor ka cështje bilaterale të pazgjidhura; egzistojnë ende disa mite, ato duhen kapërcyer; ka ecuri të ngadaltë në disa reforma të shtetit të së drejtës; gjyqësori ka probleme jo të vogla; ato po adresohen; po ecet në drejtimin e duhur, disa rezultate janë të prekshme; po nxirren mësime.
Për integrimin nuk janë ngritur ende struktura të konsoliduara, të dedikuara, institucionale, me stafe shumë të kualifikuar dhe të mjaftueshëm! Nuk ka kohë për vonesa, nëse integrimi vërtetë është prioritet i lartë, sic përsëritet në retorikën e politikës.
Ky proces kërkon domosdoshmërisht të mos ketë dyzim punësh, jo dy “karrige”, sepse përgjegjësia humbet diku në mes! Është e domosdoshme që të sigurohet vazhdimësia permanente e strukturave dhe stafeve. Duhen burime të mjaftueshme financiare për t’a mbështetur këtë proces në tërë paketën e tij. Nënvizoj këtu se 70 % e korpusit (acquis) ligjor të BE-së nuk do të zbatohet në kryeqytet, por në pushtetin lokal.
* * *
Integrimi është cështje gjithëpartiake, jopartiake, mbipartiake! Procesi ka nevojë për mbështetje të plotë, nga maja deri poshtë, jo me retorikë, por me vepra. Kjo ka më shumë rëndësi, por ajo nuk është në nivelin ku duhet të jetë! Ngrihet pyetja: a e kanë seriozisht drejtuesit këtë synim, apo në thelb nuk e duan!? Integrimi kërkon mbështetje të gjerë popullore dhe konsensus në cdo hap. Kundërshtitë, përplasjet, acarimet e vazhdueshme politike, 30 vjet njëlloj, vetëm pengojnë! Dialogu politik ndihmon.
Dëgjohet gjithnjë e më shpesh, kryesisht nga BE-ia, se “integrimi është rrugë shumë e gjatë”. Ajo duket më shumë si justifikim se ndërkohë po punohet fort, për të “na mbajtur ngrohtë” se “një ditë do bëheni antarë”, por tani për tani, qëndroni “jashtë, te dera’. Ky është mesazhi më i gabuar që mund të jepet! Nuk duhet as të hutohemi, as “të merren kallup”, fjalët e zbukuruara që dëgjohen në Bruksel, si dhe nga ambasadori i BE në Shqipëri!
Procesi i integrimit është ”punë e papërfunduar” prej mbi 20 vitesh. Kundërshtitë brenda në BE janë të njohura, por edhe mësohen në vijimësi dita-ditës! Fatkeqësisht, ai proces është bërë shkak për ndasi, për standarte të dyfishtë, për trajtim si “qytetari të dorës të parë, të dytë dhe të tretë”!
Strategjikisht do ishte më me përfitim, më e efektshme, me impakt më të madh, që ne, vendet e Ballkanit, të futeshim në BE shpejt! Duke qenë brenda, adresohen më lehtë, më efektshëm, më shpejt ato aspekte që mund të mbeten dhe që duhen adresuar, sesa të vijohet të lihemi tek dera, derisa të jenë plotësuar edhe nën-nën kriteret më minimale, që vete vendet e BE ndoshta nuk i plotësojnë! Po të ndodhte kjo, nuk ka asnjë dyshim se do të mendohej dhe veprohej stratgjikisht! Por BE-ia nuk ka motivimin, vullnetin, kohezsionin dhe forcën ta bëjë këtë.
* * *
Narrativa e tanishme është “integrimi gradual”, ose xheste të ngjashme simbolike, për të arritur objektivin. Ku është Komuniteti Politik Evropian, që u predikua me aq pomp?! Cfarë arriti ai Komunitet?! Është shumë vështirë të hasësh dikë sot që t’a përmendë! Ishte si një mizë në vorullën e ajrit të momentit! “Integrimi gradual”, megjithëse mund të ketë ndonjë element pozitiv, bart rrezikun e madh që njeri nga stacionet e autobuzit, gjatë udhëtimit, të bëhet stacioni i fundit i autobuzit!
Në përpjekjet për t’u bashkuar me BE-në, pas 25 vitesh, integrimi nuk mund të jetë më “korsia e shpejtësisë”, por maratonë pa rripin e finishit! Shqipëria nuk ka aspiruar dhe punuar për këtë! Vendi ynë, vendet tona në Ballkanin Perëndimor, nuk do pranojnë asgjë tjetër përvec integrimit me anëtarësi të plotë në BE. Nuk duhen ushqyer iluzione, as naivitete, nuk duhen gëlltitur akrobacitë politike, apo shpikjet dhe propozimet për këtë apo atë instrument “Lehtësues”, qoftë edhe për “Rritje”, sic e quajnë!
* * *
Propozimet për opcionet e reformës institucionale të BE-së në raportin e grupit të ekspertëve franko-gjermanë, që u paraqit në shtator 2023, synojnë të forcojnë karakterin federalist të BE-së, e justifikuar kjo me sigurimin e kapacitetit absorbues të BE-së. Ato propozime fokusohen në tre fusha kryesore, përfshirë zgjerimin e kondicionalitetit dhe zbatimin e Traktatit të BE-së lidhur me mbrojtjen e shtetit të së drejtës.
Propozimet fokusohen më tej tek rregullimi, apo tarimi, i procedurës të Nenit 7, duke e ulur, zvogluar, rrudhur unanimitetin, duke zgjeruar kohezionin për reformat institucionale. Në fakt, këto janë vetëm alternativa për të mos thënë se do ketë ndryshim të traktatit për thellimin dhe zgjerimin e BE-së dhe për kundërshtitë, qëndrimet e ndryshme në BE, në përputhje me politikat dhe me integrimin gradual të kandidatëve.
Për më qartësi, le të shohim cfarë ofroi ko-ordinimi i hapave që bëri Këshilli i Cështjeve të Përgjithëshme në nëntor 2023, nën Presidencën spanjolle, që po ndiqet edhe nga Presidenca belge:
Gjysma e parë 2024 – definimi i synimeve/ambicjeve afat-gjata (lexo: nuk ka definim) dhe objektivi i përbashket për Unionin e zgjeruar, transferimi, apo përfshirja e zgjerimit dhe e procesit të reformws në Axhendën Strategjike (lexo: nuk ka strategji!).
Gjysma e dytë 2024 dhe gjsyma e parë 2025 – reflektime, mendime mbi prioritetet dhe politikat e BE-së, pasuar këto nga disa aspekte të vendim-marrjes dhe institucionale.
Gjysma e dytë 2025 – negociata mbi propozimet e Komisionit për politikat e BE-së, rregullimet buxhetore dhe vendim-marrjen, si dhe përbërjen institucionale të BE-së, përshirë edhe ndryshime të traktatit.
Këto hapa flasin vetë!
Po krijohet, jo po evitohet, pikërisht ajo cka BE-ia thotë se nuk donte të krijohej! Pa asnjë iluzion, mund të thuhet me zë të lartë, se duhet përdorur i gjithë arsenali, e gjithë forca politike, kohezioni, dhe ato të përdoren strategjikisht, që Ballkani, vendi ynë, të futet shpejt në BE. Shtyrjes tjetër të përherëshme të radhes i duhet dhënë fund një herë e mirë! Ose BE-ia të na thotë të vërtetën drejt, hapur, pa fjalë të bukura: ju nuk do futeni as në 2030, ndoshta në 2035, por edhe kjo është me pikëpyetje!
* * *
„Lehtësuesja (Lexo: mjeti, instrumenti) e Reformës dhe e Rritjes“ (Reform and Growth Facility), është nismë e vlefshme për të promovuar dhe shpejtuar disi procesin e zgjerimit të Ballkanit Perëndimor. Paraja ndihmon, por nuk është gjithëcka, kërkohet mjaft më tepër sesa para!
Plani i Rritjes bën fjalë për projekte, por ende nuk duket se ka para, as nëse janë të mjaftueshme. Shifrat e ndarjes të 6 miliardëve për vendet e Ballkanit, krahasuar me 16 miliard Euro projekte që Kina nënshkroi vetëm me Hungarinë një javë më parë, flasin për një disproporcion enorm vëmëndjeje dhe investimi, pavarësisht bumeve mediatike të mbledhjeve! Do duket më qartë kur të përfundojë, sic shpresohet, procesi i domosdoshëm legjislativ i BE-së në 2024! Mbetet për t’u parë sesi do të kontribuoje ai në afrimin e mëtejshëm të BP me BE-në!
Do ishte arritje e madhe e projektit të BE-së kur, dhe nëse, Ballkani Perëndimor do të futet në BE. Por BE-ia nuk duket se po ecën përpara, me besim, për ta futur Ballkanin shpejt në BE, nëse do futet ndonjëherë! BE duhet të tregojë shumë vëmëndje dhe kujdes të mos vritet perspektiva e Ballkanit Perëndimor! BE-ia rrezikon të humbasë forcën ngjizëse, ndërkohë që Ballkani sheh te BE-ia që të bëjë më shumë me më shumë, jo me më pak!
* * *
Dinamikat e kohëve të fundit të procesit të zgjerimit janë shtyrë, nxitur nga një drejtim dhe orientim tjetër, nga përzgjedhje politike, dhe jo nga përqasja “sipas meritës”. Ky drejtim, orientim, përzgjedhje politike, favorizon vendet e porsa-ardhura rishtaz. Ajo i vendos vendet e Ballkanit Perëndimor, që kanë punuar mbi 25 vite për të hyrë në BE, në pozicion disavantazhi!
Vendi ynw ka ecur përpara vetëm mbi bazën e zbatimit të kërkesave dhe egzigjencave të dokumentacionit të BE-së. Kështu duhet të veprohet me të gjitha vendet që aspirojnë të hyjnë në BE një ditë! Është e domosdoshme që të ruhet një ekuilibër korrekt midis Ballkanit Perëndimor dhe të ardhurve rishtaz.
Integrimi ka rëndësi strategjike. Ai duhet të jetë vetëm i bazuar në meritë. Progresi i të porsa-ardhurve nuk duhet të bëhet, as të jetë, në kurriz të Ballkanit Perëndimor! Duhet që të rivendoset kredibiliteti i politikës të zgjerimit, të evitohet marrja peng e integrimit të Ballkanit Perëndimor nga disa procese të përshpejtuara për të tjerë. Ajo politikë duhet të përfshijë që cdo vend të vlerësohet sipas meritës dhe progresit të tij, dhe jo të ndërmerren edhe praktika “ciftimi”, ose “jo ciftimi”. Nuk dij se ka ndonjë dokument zyrtar të BE-së ku të jetë e mishëruar kjo! Mantra e BE-së vazhdon të jetë “merita individuale”.
Nuk duhet të ketë korsi të shpejtësisë për anëtarësi, por promovim tw progresit, bazuar në meritë, në përmbushjen e kritereve të anëtarësisë, dhe mbështetje për vendet kandidate dhe kandidate potenciale, parësisht dhe vecanërisht, nga Ballkani Perëndimor!
Shpejtimi i integrimit, stabliteti, siguria, zhvillimi, prosperiteti i Ballkanit Perëndimor kanw nevojë t’u jepet vrull. forcë më e madhe. Kjo do ia shtojë energjinë BE-së. Në publik lihet përshtypja se kështu po veprohet! Ndërkohë, nga brenda, bllokohet procesi! Kjo duhet evituar! “Kur je në shtwpi prej xhami, mos gjuaj me gurë“. Mbështetësit e vërtetë të integrimit të BP janë ende në minoritet në BE. Aty të gjithë duhet të bashkojnë forcat dhe të promovojnë cështjen e Ballkanit Perëndimor! Ndryshe, Evropa nuk është as e plotë, as e unifikuar!
Hapat për integrimin në BE janë shprehur qartësisht në Traktate dhe Konkluzione të Këshillit të BE-së. Reformat e brendëshme nuk duhet të jenë për zgjerimin. Ato reforma, ose justifiikimi me to, në emër të tyre, duhet të evitohen që të mos bëhen pengesë për zgjerimin. Sa kam dijeni, kuadri aktual i traktateve është i përshtatshëm për integrinin e Ballkanit Perëndimor, pa vonesë.
* * *
Me gjithë meritat, perfeksionet dhe impërfeksionet, rruga e Ballkanit Perëndimor për në BE nuk është më e mira, por është i vetmi opcion! Kur nuk ecën, është krejt e lexueshme vendosja e pengesave dhe cilat janë arsyet. Kur shtyrjet pasojnë njera tjetrën, këmba tërhiqet zvarë, këto shtyrje, pas 25 vitesh, do bëjnë që të thuhet hapur, me zë të lartë: tani ka ardhur koha që të diversifikojmë marrëdhëniet tona me botën! Boll gjatë, tre dekada, i kemi vëmë dhe mbajtur të gjitha vezët në një shportë! Askush të mos habitet nëse kjo do të ndodhë.
Sot mund të shpresohet disi, zbehtas, por jo pafundësisht, se Brukseli do të marrë hapa konkretë për integrimin e shpejtë të vendeve tona në BE. Pikëpamjet dhe pozitat afatshkurtëra, cështjet dhe interesat ekonomike, nuk duhen vendosur në afatgjatë përpara sigursë, shtetit ligjor dhe të drejtave të njeriut.
* * *
Në qershor 2023, Presidenca suedeze i kërkoi Drejtorit të “Institutit Jacque Delor”, Enrico Leta, ish-kryeministër i Italisë, person i njohur për mungesën e zellit për zgjerim, që të paraqiste një raport për të ardhmen e tregut të njehsuar. Kërkesa u ndoq nga presidencat spanjolle dhe belge të BE-së. Raporti u paraqit pak muaj më parë. Më poshtë, tregut të Ballkanit Perëndimor po i referohem si treg rajonal. Disa pika kyc të këtij raporti që mund të kenë lidhje me tregun rajonal të Ballkanit Perëndimor.
Është me interes të analizohen thellë, një nga një, sesi ato cështje mund të shërbejnë në rrugën e integrimit në BE, nëse janë ndihmuese për t’a shpejtuar integrimin, apo bëjnë të kundërtën.
Tregu rajonal i Ballkanit Perëndimor ka afërsisht 18 milion konsumatorë, krahasuar me 375 milion konsumatorë që ka tregu i njehsuar i BE-së. PBB i Ballkanit Perëndimor është rreth 80 % e PBB të Sllovakisë. Shifrat flasin vetë.
Tregu rajonal do ketë impakt pozitiv në pak fusha, si interkoneksioni/”roaming” (edhe pse ende jo midis BP dhe BE-së), kalimet e përshpejtuara të transportit të mallrave në pikat doganore kufitare, udhëtimet pa viza, vetëm me ID, njohja reciproke e diplomave, lejeve të punës, shpërndarja e energjisë, etj.
Disa observacione kyc nga raporti në fjalë, telegrafisht:
– zbatimi i tranzitimit të gjelbër, të drejtë dhe dixhital, përkrah zgjerimit;
– thellimi i integrimit i Ballkanit Perëndimor në telekomunikacione, tregjet kapitale, energjia, industria e mbrojtjes, shëndeti, arsimi, inovacioni, plus katër lirive;
– telekomunikacioni, si shembull: BE-ia po shqyrton krijimin e një autoriteti rregullator të BE-së, ndonëse nuk jepen as emërtimi i tij, as hollësitë për të; autoriteti përmban futjen, për herë të parë, të një modeli që mund ose të zvoglojë, ose të rrisë, kostot e furnizimit për përdoruesit fundorë, ose cilësinë e shërbimeve;
– energjia: raporti bën fjalë që BE-ia të ketë një trupë/organ qëndror supervizimi që të jetë përgjegjës për koherencën e rregullave të tregut të njehsuar. Tregu individual kombëtar i energjisë duhet gradualisht të zhvillohet në treg të vetëm evropian, që të rrisë konkurencën me botën, p.sh., me Kinën, Indinë, etj.;
– Kjo con në interkoneksionin e sistemeve të energjisë, duke forcuar sistemet e transmetimit dhe të shpërndarjes;
– Forcimi i sistemit financiar ka dimensionin e një tregu të njehsuar. Kjo duhet mbajtur mirë parasysh, ndërkohë që Ballkani Perëndimor po punon, ose po ecën, drejt krijimit të sistemit të tregut të tij rajonal;
– BE flet për “një union kursimesh dhe investimesh”, domethënë, integrim i plotë i tregut të shërbimeve financiare. Kjo do të thotë që 33 trilion kursime private në BE, në “cash” dhe depozita, të kanalizohen për të financuar tranzitimin e gjelbërt dhe dixhital!
– Tregu i brendshëm, BE preferon të përdorë rregullore kur të krijojë rregullat detyruese për tregun e njehsuar, dmth., kudo të zbatohen rregullat e tregut të njehsuar (lexo: edhe kur nuk je anëtar!);
– Ligji i Kompanive, ndoshta BE-ia don që të përshtasë rregullat e kontrollit të shkrirjes/bashkimit të kompanive për të ulur kostot e prodhimit të kompanive, pra, për të rritur kursimet në kosto;
– Tranzitimi i gjelbërt, fokusohet në zbatimin dhe jo zhvillimin e një legjislacioni të ri. Kjo bart rrezikun e madh që kompanitë të “emigrojnë” jashtë zonës të BE-së, për arsye se masat e trazicionit të gjelbërt do rrisin ndjeshëm barrën për kompanitë;
– Integrimi gradual, raporti flet për nevojën e promovimit të tij duke ruajtur stabilitetin e ekonomive të vendeve kandidate, si dhe atë të tregut të njehsuar. Raporti thekson se zgjerimi i mëtejshëm i BE-së nuk don të thotë fundi i kohezionit dhe i mbështetjes të politikave të përbashkëta bujqësore për vendet që aktualisht janë anëtarë! Nevojiten masa mbështetëse dhe reformim i politikës të kohezionit, por jo për vendet kandidate! Raporti bën paralajmërim kundër financimit të zgjerimit në kurriz të politikës të kohezionit.
Ndonëse sot mund të duket “spekulative”, në të ardhmen nuk përjashtohet të dëgjohet, “ju (lexo: Ballkani Perëndimor) e keni tregun tuaj rajonal, kështu që, fare mire, mund të bashkëpunoni me tregun e njehsuar të BE-së, nuk (iu) duhet më shumë se kaq”. Për rrjedhojë, kur dhe nëse do të vijë anëtarësimi një ditë, hyrja në tregun e njehsuar mund të mos jetë automatike, sepse Ballkani Perëndimor e ka tregun e tij rajonal!
Do të ndihmonte shumë nëse do të bëhet një analizë dhe vlerësim i kujdesëshëm, professional, i të gjithë aspekteve të këtij Raporti.
* * *
Ballkani Perërndimor dëshiron që BE-ia të mbijetojë dhe të forcohet. Ne kërkojmw që të japim kontributin tonw modest në këtë projekt. Përballë sfidave serioze politike, ekonomike, të sigurisë, etj., me ballkanin Perëndimor brenda saj, BE-ia do jetë globalisht më e fortë, me ndikim më të madh, të ngulitur mirë, si shtete individualisht, dhe si Union. Nëse, dhe kur, kjo do të bëhet realitet, BE-ia do demonstrojë se vërtetë e ka forcën që të ngrihet në lartësinë e duhur, të shohë strategjikisht në horiont tek e ardhmja./ DITA