-sidi education-spot_img
18.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Enver Robelli: Për Asociacionin, konspiracionet dhe kurthin

Kryesoret

Duhet mbase një kronologji për të parë përse shumë çështje e punë të Kosovës nuk po ecin mbarë. Më 2015: Dështon pranimi i Kosovës në Unesco për tri vota. Mes shteteve që nuk e përkrahën Kosovën kishte edhe të tilla që e kishin pranuar pavarësinë e Kosovës. Më 2018: Dështon pranimi i Kosovës në Interpol pasi vendi nuk arriti të siguronte dy të tretat e votave. Më 2024: Dështon anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës (për shkak se nuk futet në rend të ditës).

Si sot, si atëherë përgjegjësit politikë i kanë arsyetimet pothuaj të njëjta: bëmë gjithçka, por fushata agresive e Serbisë… etj. etj.

Problemi është pak më i ndërlikuar. Kur hidhni nënshkrime në emër të shtetit (si më 2013, 2015 apo në raste të tjera), atëherë merrni obligime në emër të shtetit, pra kjo ka pasoja politike dhe juridike. S’ka lidhje kush është në pushtet, pasojat apo efektet mbesin dhe me to duhet të merret çdo qeveri për aq sa problemi nuk zgjidhet. Kur si zyrtarë shteti nënshkruani diçka me bindje, atëherë me po aq bindje duhet ta mbroni, nuk mund të dilni e ta bëni të kundërtën e asaj që keni nënshkruar. Ose mund ta bëni, por kjo ka pasoja. Dhe është tallje me qytetarë dhe me mbarë botën.

E vërtetë: Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka thënë më 2015 se plani për “bashkësinë e komunave serbe” në shumë pika bie ndesh me Kushtetutën. Por Gjykata Kushtetuese po ashtu ka thënë: duhet gjetur zgjidhje duke i marrë parasysh vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese. E çka ka bërë klasa politike e Kosovës qe gati 10 vjet? E ka kaluar duke prodhuar mjegull.

Të gjithë ne që me vite e kemi theksuar këtë çështje, pra se duhet gjetur një zgjidhje – ose jemi injoruar, ose jemi stigmatizuar, ose etiketuar me epitete jo aq pozitive. Ky është problemi më i vogël, halli më i madh është refuzimi i klasës politike për t’u marrë me problemin. Ajo pjesë e klasës politike që e nënshkroi marrëveshjen e vitit 2013 praktikisht hoqi dorë prej saj duke e konsideruar si rrezik për krijimin e një “republike serbe” dhe filloi të ndjekë projektin tjetër për “korrigjim kufijsh”. Kjo qasje ia rriti ambiciet Serbisë. Opozita e atëhershme (sot në pushtet) iu qas problemit me mungesë ekstreme të realizmit, me refuzim radikal dhe me premtime fluturuese. Asnjëra qasje s’po funksionon dhe për këtë ka pasur paralajmërime si ky në vijim (citat nga kolumna ime e botuar më 6 korrik 2022 te “Koha”): “Guri më i rëndë mbi shpatullat e Kosovës është ‘bashkësia e komunave serbe’. Ky projekt politik është shpallur pjesërisht kundërkushtetues nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, por vetëm pjesërisht, jo tërësisht. Rrjedhimisht, kjo qeveri, herët apo vonë, duhet të merret me këtë projekt që e ka trashëguar nga pushtetet e kaluara. Siç duhet të merret edhe me vendimin e drejtësisë kosovare për disa hektarë që parashihet t’i jepen Manastirit të Deçanit, bazuar në një vendim të një gjykate arbitrare serbe të marrë në fund të viteve ‘90.”

Sjellja sikur problemi nuk ekziston, e ka futur Kosovën në qorrsokak. Si të dilet nga ky qorrsokak? Në një shoqëri të polarizuar thellësisht, ku mosdurimi ndaj njëri-tjetrit shkon deri në urrejtje patologjike, ku “debati publik” i ngjan garës së derrave në sheshin e katundit, ku ekzekutimi në trekëmbëshin digjital i çdokujt që s’vrapon me turmën tashmë është bërë ritual makabër, ku mendësia fisnore errëson logjikën shtetërore, ku çdo kompromis shihet si dobësi, ku kundërshtari politik është i dobishëm vetëm kur keqpërdoret për makinacione e kurthe politike, ku cinizmi zëvendëson argumentet, ku sulmet ad hominem mëtojnë të dehumanizojnë atë që mendon ndryshe, ku faktet përdridhen sipas interesit momental, ku betejat për pushtet zhvillohen edhe me kosto në dëm të shtetit, ku punët e shtetit janë improvizim, ku papjekuria e bartësve të posteve të rëndësishme merr përmasa fabulash, ku politikanëve u mungon guximi për të marrë përgjegjësi për vendime të vështira, sepse mendjen e kanë te fushata elektorale –  në një shoqëri të tillë stagnimi është rregull, jo përjashtim.

E tash? Pse nuk e di opinioni i Kosovës ende përmbajtjen e plotë të propozimit që paskësh bërë emisari i BE-së për bashkësinë e komunave serbe? Apo betimi për transparencë vlen veç në fushata elektorale, pastaj harrohet? Nëse po refuzohet, le të dihet çka po refuzohet. Dhe le të mbajnë qëndrim të gjithë për këtë, hapur, publikisht, jo duke u fshehur pas mjegullës që po prodhohet qe 10 vjet. Nga pushtetet dhe opozitat e deritanishme. Dhe nga militantët dhe borizanët e tyre.

Mund të thuren 1001 konspiracione, jo na e bëri ky, jo na e bëri ai (përralla për Twitter e Facebook janë këto), por në fund dhe më e rëndësishmja: Kosova duhet të sqarohet me vetveten dhe ta pastrojë oborrin e vet. Sepse këtë kurth klasa politike ia ka ngritur vetes: njëri krah me axhamillëk kolosal (“marrëveshje historike”, “Serbia e pranoi de fakto Kosovën”), tjetri krah me premtim se do ta rrotullojë botën sapo të marrë besimin e popullit. Shkopi magjik nuk ekziston askund, rrjedhimisht as në politikë. Nga jashtë fabrika e suxhukut duket e bukur, por kur e shikoni nga brenda si prodhohet suxhuku…

Pra, Kosova duhet ta pastrojë oborrin e vet. Jo me aksione të pamenduara dhe të lansuara 10 minuta para finishit. Jo me vajtime. Jo me ikje në formalizma e folklorizma. Mungesa e një konsensusi sot për një çështje kaq të rëndësishme si Asociacioni, mund të rezultojë me një faturë të shtrenjtë nesër për të gjithë. Nga përvoja e deritanishme si vëzhgues i këtij problemi që po e shoqëron Kosovën prej vitesh, nuk jam shumë optimist. Duket sikur krejt spektri politik është kurthuar pavetëdijshëm në çështjen e Asociacionit, sepse kjo çështje i plotëson krejt kriteret për t’u sharë me njëri-tjetrin, për t’u akuzuar e kundërakuzuar për tradhti e komplote dhe për t’ia dëshmuar njëri-tjetrit sa patriotë të mëdhenj jemi. Dhe në fund pa marrë asnjë vendim nga ata që duhet të marrin vendim. Kjo paralizë shoqërore po zgjat qe më shumë se 10 vjet. Ata që janë lindur më 2013, tash hyjnë në pubertet. Dhe pas tre-katër vjetësh mund të jenë ose kamerierë në Berlin, ose punëtorë ndërtimtarie në ndonjë kantier në Kroaci. Por neve s’po na bëhet vonë për asgjë. Jemi të lumtur në bahçen tonë, duke u gjuajtur mes vete me pemë të kalbura./ Koha

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img
uEFA EURO 2024 GERMANYspot_img

Lajmet e fundit