Detaje të reja janë zbuluar nga vetëvrasja e efektives së policisë, pasditen e djeshme në kryeqytet. Veç arrestimit të të dashurit të efektives Aldorjana Loshi, mësohet se mesazhi i saj i fundit i drejtohej pikërisht atij.
“Kur të vish derën po ta lë të hapur, zoti të ruajt”, i ka shkruajtur policja 28-vjeçarit Endri Nika, i cili është vënë në prangat e policisë.
Sipas policisë, menjëherë sapo i dashuri e ka gjetur të pajetë 21-vjeçaren, ai i ka marrë telefonin dhe ka fshirë mesazhet.
Njoftimi i policisë:
Tiranë
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, ku në rrugën “Todi Shkurti”, është vetëvrarë me armën e shërbimit shtetasja A. L., 21 vjeçe, punonjëse policie pranë Komisariatit të Policisë Nr. 5, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, arrestuan shtetasin E. N., 28 vjeç, banues në Kamëz, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Ky shtetas dyshohet se ditën e djeshme ka shkuar në banesën e shtetases A. L., dhe pasi ka njoftuar Policinë për ngjarjen e ndodhur, ka fshirë mesazhet me shtetasen A. L., në telefonin e saj. Materialet i kaluan Prokurorisë.