Bashkimi Evropian kërkon që çështja e hapjes së urës mbi lumin Ibër duhet të trajtohet në kuadër të dialogut të Brukselit. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka theksuar se Brukseli ka parë mjaft kriza e njëkohësisht, sipas tij, shumë pak zgjidhje dhe hapa që çojnë drejt de-përshkllëzimit.
“Hapja e urës në Mitrovicë është në fakt objekt i dy marrëveshjeve në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE: nga viti 2015 dhe viti 2016. Dhe pavarësisht përpjekjeve të Bashkimit Evropian si lehtësues, kjo urë mbetet e mbyllur për qarkullim.
Dhe meqenëse kjo është një çështje që i përket dialogut të lehtësuar nga BE-ja, negociatat dhe çdo vendim që lidhet me urën duhet të diskutohet dhe merret në dialog dhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve zyrtarë të të dyja palëve: Kosovës dhe Serbisë. Kjo është shumë e qartë”, deklaroi zëdhënësi i BE-së, raporton RTK.
Peter Stano në këtë rrafsh ka përsëritur se është e domosdoshme që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë. Gjithnjë sipas tij, secila krizë e re që paraqitet, e shmang vëmendjen nga domosdoshmëria e zbatimit të marrëveshjes kryesore”.
KFOR: Çdo vendim rreth urës mbi Ibër të merret në kuadër të dialogut