Kredia për shtëpi regjistroi përsëri një rritje të fortë në muajin prill.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, gjatë muajit prill, sektori bankar dha pothuajse 4.9 miliardë lekë kredi të reja për shtëpi, në rritje me 52% krahasuar me prillin e vitit të kaluar.
Për të gjithë 4-mujorin, kredia e re për shtëpi e disbursuar nga sektori bankar arriti vlerën e 17.9 miliardë lekëve, në rritje me pothuajse 16% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kredia e re për shtëpi po thyen edhe këtë vit rekordet historike.
Rritja e kredisë për shtëpi po zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt monedhës vendase. 72% e kredisë për shtëpi të dhënë gjatë muajve të parë të këtij viti ishte në monedhën vendase. Kredia e re në lekë është rritur me 125% krahasuar me 4-mujorin e parë të vitit të kaluar. Ndërkohë, kredia në euro po bie ritme të shpejta dhe pothuajse u përgjysmua për katër muajt e parë të këtij viti.
Sipas statistikave të bankës qendrore, tashmë portofoli aktiv i kredisë për blerjen e banesave ka arritur vlerën pothuajse 190 miliardë lekëve, në rritje vjetore me 10.6%. Ky portofol përbën tashmë rreth 26% të kredisë totale për ekonominë shqiptare. (lexo KËTU për shkrimin e plotë)