Grigels Muçollari nga Partia Demokratike denoncoi sot se godina e Tatimeve do shembet për të ndërtuar kullë 40 katëshe. Vendimi, tha ai, është në planin e qeverisë për rrënimin e objekteve publike dhe shtetërore, për ta kthyer truallin e tyre në godina shumëkatëshe.
“Jemi këtu tek zyrat e Drejtorisë së Përgjitshme të Tatimeve, pranë Stadiumit Dinamo. Kjo godinë pas meje, është në planet e Edi Ramës që të shembet, e kjo pronë ti jepet një privati për të bërë një kullë 40 katëshe ose më shumë. Ky vendim i Edi Ramës, pa asnjë konsultë, nuk i shërben aspak qytetit e qytetarëve. Përkundrazi, shton betonin dhe ngushton edhe më shumë hapësirat e përbashkëta.
Përveçse është një lulishte e munguar, nuk sjell asgjë për zgjidhjen e problemit të strehimit, që është një shqetësim i madh sot. Kjo pasi çmimet e këtyre kullave janë aq të larta, sa janë të paprekshme për qytetarët e zakonshëm të këtij vendi. Ndaj, qëllimi i Ramës nuk është ky, por futja në ekonomi, pastrimi i një sasie tjetër të madhe të parave të pista.
Është e papranueshme nga ana tjetër që Edi Rama të sillet si pronar i këtyre godinave. Askush nuk e ka bërë Edi Ramën pronar. Këto janë prona publike dhe shtetërore, dhe janë ndërtuar me kontributin e shqiptarëve të gjithë atyre që kanë paguar taksa në këtë vend. Prona që janë ndërtuar nga puna dhe mundi i shqiptarëve” tha ai.