Rusia është gati për një armëpushim dhe fillimin e negociatave, nëse trupat ukrainase tërhiqen plotësisht nga rajonet Donetsk, Lugansk, Zaporizhzhia dhe Kherson dhe Kievi merr përsipër të mos anëtarësohet në NATO. Kështu tha presidenti rus Vladimir Putin.
“Sot ne po bëjmë një propozim të vërtetë paqeje, nuk po flasim për ngrirjen e konfliktit, por për ndërprerjen totale të tij”, tha Putin në lidhje me propozimin për negociata me kusht që ukrainasit të tërhiqen nga katër rajone dhe të heqin dorë nga anëtarësimi në NATO.
“Ne nxisim të kthejmë faqen tragjike të historisë dhe gradualisht të rivendosim marrëdhëniet me Ukrainën dhe Evropën. Nëse Perëndimi dhe Ukraina refuzojnë, ata do të mbajnë përgjegjësinë për vazhdimin e gjakderdhjes”, paralajmëroi Putin.
Por Volodymyr Zelensky kundërshton propozimin e Vladimir Putinit për paqe, duke pretenduar se ai “nuk mund të besohet”.
“Është e njëjta gjë që bëri Hitleri, kur tha ‘më jep një pjesë të Çekosllovakisë dhe mbaron këtu’”, tha udhëheqësi ukrainas për Skytg24.
“Por jo, ato janë gënjeshtra, gënjeshtra historike. Pastaj ishte Polonia, pastaj pushtimi i gjithë Evropës. Prandaj nuk duhet t’u besojmë këtyre mesazheve, sepse Putini ndjek të njëjtën rrugë. Sot ai flet për 4 rajone, përpara po fliste për Krimenë dhe Donbasin. Atij nuk i intereson çfarë ndodh me njerëzit, kjo është fytyra e re e nazizmit”.
Putin deklaroi se për t’i dhënë fund agresionit ushtarak kundër Ukrainës, Moska kërkon që ajo të ketë “një status neutral, të paangazhuar” dhe të mos ketë armë bërthamore. Presidenti rus bën thirrje gjithashtu për atë që ai e quan “çmilitarizimi dhe denazifikimi” i Ukrainës.
Kievi hoqi dorë nga armët bërthamore në vitin 1994 me Memorandumin e Budapestit me të cilin Rusia, SHBA dhe Britania e Madhe morën përsipër të garantojnë integritetin territorial të Ukrainës.