-sidi education-spot_img
23.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Daut Gumeni: Bejlerizimi i Bashkimit Europian

Kryesoret

Zgjedhjet e reja të parlamentit europian treguan një rritje të frikshme të partive të ekstremit të djathtë në disa vende të kontinentit tonë. Një rritje kjo që ndoshta paralajmëron ditë më të mjegullta për ecjen e mbarë të Europës së Bashkuar, rritje që hap udhën për fuqizimin pastaj edhe të ekstremit të majtë si kundërpërgjigje e vetvetishme balancimi.E prandaj dhe nuk është më aq e vështirë të mendohet për fatin e mbrapshtë të parimeve që janë në themele të krijimit të Bashkimit Europian: Liritë dhe të Drejtat e Njeriut, një jetë e begatuar me punë të ndershme dhe një kontinent i bashkuar që përhap mirëqenien e siguruar në paqe me fqinjët e me mbarë botën.

Në këtë gjendje të gjigandit tonë me parime të larta por me këmbë argjili, duket se erdhi si një thelë mbi bisht zgjedhja si anëtar i nderuar i Parlamentit Europian edhe e heterogjenit grek Fredi Bejleri, duke përfaqësuar partinë greke Demokracia e Re të kryeministrit Mictaqis, parti me emër të bukur e me llogari politike të vjetra, llogari hilexhiu që të kujtojnë kohët e zymta të luftrave ballkanike në fillim të shekullit të shkuar. Them thjesht një thelë mbi bisht, për të mos u kujtuar politikanëve fqinjë se dua vërtet të uroj e të besoj që dikur edhe politika greke do të duhet të heqë dorë nga mania e saj ishullore për të qenë gjithmonë në gjendje lufte me të gjithë fqinjët e saj kontinentalë.

Se dikur duhet të shërohen edhe politikanët grekë nga një sëmundje e tyre e hershme për t’u mësuar drejtësinë të tjerëve, kur ata vetë nëpërkëmbin keq drjetësinë në vendin e tyre. Se sikur nuk shkon fare që me paratë e Bashkimit Europian të blejnë edhe sot e këtë ditë mercenarë, të cilët të kujtojnë andartët e dikurshëm të liruar nga burgjet për të masakruar fqinjët më të vegjël e më të varfër në emër të megali idhesë(!) Sepse nuk kam si të besoj dot që mund të ketë të ardhme një politikë e ndryshkur, e cila i bie dhe sot e këtë ditë kavallit të shëmtuar  që ka sjellë aq shumë fatkeqësi e gjëmë të rënda edhe për vetë përparimin e vërtetë të shoqërisë greke bashkë me atë të fqinjëve të tyre në këtë gadishull të Mesdheut.

Sikundër nuk ka se si të besoj dot, që fqinjët tanë të pasuruar me të tepërt nga Bashkimi Europian, të arrijnë të dërgojnë si përfaqësues të tyre në Parlamentin e Europës së Bashkuar edhe një të dënuar nga drejtësia shqiptare për vjedhje votash e jo vetëm…

I ashtuquajturi homogjen grek, që na çudit dhe me origjinën e tij nga Progonati i maleve të Labërisë, i kthyer nga pagan në ortodoks nga predikimet e Shën Palit, por edhe besnik i perandorisë otomane duke mbajtur mbiemrin Bejleri, kur beu në malet e thatë të Progonatit do të kishte vdekur urie pa lënë dot pasardhës të këtij modeli, model aq i shpifur që, pasi bejlerizon Demokracinë e Re me frymë të vjetër të kryeministrit Micotaqis , arrin ta shpjerë atë bejlerizim edhe në Parlamentin e Europës së Bashkuar të shekullit të 21-të.

Heterogjeni ynë me rrënjë të shkulura beu nga Progonati(!) na bën jo vetëm për të qeshur ,kur betohet nga burgu se paska qenë një kalorës i dritës edhe kur e zunë me presh në duar tek paguante 50 euro votën dhe nuk na lë pa siguruar që ato vota i paska vjedhur e paguar me eurot e BE-së që të na shpëtojë nga errësira ,mbase jo vetëm ne të varfërve  më shumë për mend të kokës që jetojmë në Shqipëri, por dashka të shpëtojë nga errësira (e ka fjalën: nga drejtësia) edhe vetë Parlamentin e Europës së Bashkuar…

Si të mos trembet njeriu i shkretë për bejlerizimin edhe të Bashkimit Europian pas bejlerizimit gjithë gëzim të politikës greke, kur një qenie e tillë e dalë nga muzeu i pasur i gënjeshtrave dhe shtrembërimeve të trasha të historisë në këto brigje,  gënjeshtra e shtrembërime të shëmtuara me të cilat ushqehen e ruajnë pushtetin politikat e mykura ballkanike, nuk ka skrupuj as të recitojë nga burgu që po vuan si hajdut votash edhe hartimet që i shkojnë të gatshme nga “shkronjësit me kallamar” të politikës së Athinës, por edhe nga ca vullnetarë e pse jo dhe rrogëtarë të politikës aktuale shqiptare?!

I mbërthyer gjithë ngërç për litarin me lesh dhie të këmbanës së ndryshkur të luftrave ballkanike të fillimit të shekullit të shkuar, luftra që gjymtuan përfundimisht trojet shqiptare dhe prishën ashtu ekuilibrat e natyrshëm të popujve që banojnë gadishullin tonë, greku ynë aq heterogjen me mbimër të huazuar beu feston nga qelitë e burgut,ku shkoi me këmbët e veta duke vjedhur e blerë vota të njerëzve si në pazarin e gjësë së gjallë, ndërsa Europa jonë demokratike aq buzëhollë për të dalluar dhe qimen në qullin e politikës shqiptare, nuk arrin të shohë dot trarin monumental që ngrihet përpjetë prej dekadash në kaçamakun bajat të politikës greke.

I dënuari me burg nga drejtësia shqiptare si hajdut votash na mallëngjen kur na kujton se deputet aq të nderuar në Parlamentin e Europës së Bashkuar nuk e paska shpurë loja e vjetër e politikës greke me mercenarët tanë të vetëshpallur ”homogjenë grekë” (të paguar me paratë e Bashkimit Europian), por e ka dërguar në atë forum të lartë “nderi, krenaria dhe trimëria greke”(!)

Nuk merret vesh pse heterogjeni grek me mbiemër beu të marrë hua, harron të thotë që shqiptarët e varfër më shumë për mend të kokës kanë siguruar shkollë për minorittarët grekë edhe me dy nxënës, ndërkohë që atdheu i tij i dytë e më i pasur i ndalon pakicat shqiptare në Greqi edhe të flasin shqip në vende publike e jo më t’u plotësojë të drejtën themelore njerëzore për t’u hapur shkolla në gjuhën e tyre.

Dhe çudia këtu nuk qëndron aq në mohimin me ligj që u bëhet nga shteti grek i Fredos të drejtave dhe lirive themelore të pakicës shqiptare, disa herë më të shumtë në numër nga pakica greke në Shqipëri, por qëndron më shumë në një mohim kategorik që i bëjnë qeveritë greke ekzistencës së pakicës jo dhe aq të vogël shqiptare në Greqi.

Madje qeveritë e të gjitha ngjyrave e kusureve të anëtarit të BE-së, Greqisë fqinje, nuk heqin dot dorë as nga një shëmti si i ashtuquajturi “Ligj i Luftës me Shqipërinë”, ligj i paligjshëm që shpronëson pakicën shqiptare në Greqi. Dhe ajo që përbën helbin e kësaj arritjeje të padëgjuar të qeverive të atdheut të dytë të beut tonë të stisur nga Progonati është vetë arsyetimi pa arsye i qëdrimit në fuqi për tetë dekada i një ligji të tillë për rekord Gines.

Se e dinë dhe lisat e pyllit që Greqinë e viteve ’40 të shekullit të kaluar e sulmoi Italia fashiste, por haraçin e atij agresioni duhet ta pagujë Shqipëria, e cila qe sulmuar e pushtuar nga Italia fashiste një vit më parë(!)

E, pasi e ka pranuar në heshtje këtë qëndrim absurd të anëtares së saj vickamadhe, Europa jonë e Bashkuar pritet që ta gëlltitë e heshtur edhe ligjërimi e pashoq të Fred Bejlerit në Parlamentin europian, një ligjërim me dritë të siguruar nga rroga e lartë e anëtarit më të veçantë e pse jo edhe më historik në historinë plot çudira e xudhira të Greqisë edhe si anëtare e Bashkimit Europian.

Bejlerizimi që Demokracia e Re e kryeministrit Micotaqis i bëri me aq zell përfaqësimit të saj si parti e qendrës së djathtë dhe vetë Greqisë si shtet anëtar i Bashkimit Europian, i mbeti në derë edhe Europës së lirive dhe të drejtave të njeriut.

Tani edhe Parlamenti i Europës së Bashkuar, madje edhe vetë Bashkimi Europian me institucionet e veta të shmumta pa aq shumë bereqet, do të ketë fatin e madh të bejlerizohet si atdheu i dytë i një ortodoksi me mbiemër beu dhe brezat e ardhshëm të mercenarëve tanë me shumë emra do të krenohen me arritjen e Demokracisë së Re greke dhe të kryeministrit të saj, arritje e padëgjuar që shpuri në parlamentin  europian edhe një të dënuar për hajdut votash e jo vetëm.

Kush nuk e beson më tani që drita fitimtare, për të cilën na flet Fredis Bejleris kur lexon nga burgu hartimin që i kanë shpurë tok me ushqimet, është drita që i duhet skotës së tij në Greqi e në Shqipëri për të parë mirë numrin e votave që do të vjedhin e do të blejnë në zgjedhjet e ardhshme. Madje pse jo edhe për zgjedhjet e reja në Parlamentin Europian…

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img
uEFA EURO 2024 GERMANYspot_img

Lajmet e fundit