4 persona kanë mbetur të vdekur dhe 5 të tjerë janë plagosur nga përplasja e një automjeti me një autobus në Ksanthi të Greqisë. 5 të rinj kishin udhëtuar nga Halkida për në Ksanthi për të marrë pjesë në seminarin e një fabrike industriale.
Në mbrëmje, pasi ishin argëtuar, ata ishin nisur për të shkuar në Nesto, ku të nesërmen do të shkonin në plazh. Automjeti me targa ZTA 1004 ka hyrë në sens të kundërt në rrugën Ksanthi – Kavalla dhe në kilometrin e 11-të është përplasur me autobusin me targa AHP – 5909 të kompanisë “Spyros kai Xristos Tasios OE”, i cili transportonte punonjës të fabrikës ku kishin shkuar të rinjtë.
Nga përplasja e fortë, automjeti është ndarë në mes dhe pjesë të tij kanë fluturuar deri në 150 metra larg. Si pasojë e aksidentit kanë ndërruar jetë 4 udhëtarë të automjetit, konkretisht drejtuesi i mjetit, shtetasi grek Georgios Oikonomidis 26 vjec si dhe pasagjerët Diana-Ana-Maria Bobu 28 vjec nga Rumania, Georgia-Maria Mastori 22 vjec nga Greqi e Neldian Serjani 27 vjec nga Shqipëria.
I plagosur rëndë ka mbetur pasagjeri i pestë i mjetit, Nikolaos Metoxiatis 22 vjec nga Greqia. Nga përplasja e fortë janë plagosur lehtë edhe drejtuesi i autobusit dhe 3 pasagjerë mes të cilëve shtetasja shqiptare Pranvera Filja 39 vjec nga Elbasani.