Për dy ditë me radhë në fundjavë në Zvicër u diskutua për të ardhmen e Ukrainës. Rreth 100 shtetet pjesëmarrëse u mblodhën për të diskutuar në afërsi të Lucernës. Samiti u mbyll të dielën (16.06.2024) me një deklaratë përfundimtare, në të cilën 80 nga 93 pjesëmarrësit u shprehën, që “integriteti territorial” i vendit të sulmuar nga Rusia të jetë baza e një marrëveshjeje të paqes.
Në deklaratën e samitit Rusia bëhet përgjegjëse për luftën në Ukrainë, ku ka shkaktuar vuajtje të mëdha njerëzore dhe shkatërrime. Këtë dokument nuk donin ta nënshkruanin ndër të tjera Brazili, Arabia-Saudite, India, Afrika e Jugut, Tajlanda, Indonezia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Pjesërisht këto shtete vazhdojnë bashkëpunimin me Rusinë në të ashtuquajturin grupi Brics dhe pavarësisht sulmit ndaj Ukrainës ruajnë raporte miqësore me Moskën. Në draftin për deklaratën përfundimtare kjo morr në konsideratë, ndaj Rusia nuk dënohet shprehimisht për sulmin e saj.
Sipas kancelarit të Austrisë Karl Nehammer fakti që disa shtete refuzuan ta nënshkruajnë dokumentin ka të bëjë vetëm me disa hollësi mbi terma të caktuara diplomatike. Por baza e përgjithshme e deklaratës nuk cënohet prej kësaj, tha Nehammer. “Ndaj nuk jam fort i shqetësuar, që dokumenti nuk u nënshkrua nga të gjithë”, tha Nehammer. Ekziston dëshira për një konferencë pasuese për Ukrainën. Por është ende herët, për ta thënë, se si do të jetë formati i saj dhe nëse mund të jetë edhe Rusia pjesëmarrëse. Presidentja e Zvicrës Viola Amherd e vlerësoi deklaratën përfundimtare të samitit si një “sinjal të qartë ndaj njerëzve në Ukrainë dhe të gjithëve, që janë prekur direkt nga pasojat e luftës: Një pjesë e madhe e bashkësisë ndërkombëtare ka vullnetin për të vënë në lëvizje ndryshimin”./DW